Videoja që shoqëron këtë shënim është regjistruar në vitin 1997. Në bankën e të akuzuarve është Zani Çaushi, një nga personazhet më famëkeqe të trazirave të atij viti në Vlorë, drejtues i një prej bandave më kriminale të kohës, i përfshirë në vrasje, konflikte të armatosura dhe episode të rënda dhune. Shqipëria e asaj kohe ishte një vend ku shteti thuajse nuk ekzistonte dhe armët kishin dalë nga depot, ndërsa në disa zona autoriteti shtetëror ishte dorëzuar plotësisht në duart e bandave. Megjithatë, shiheni videon. Zani Çaushi, me gjithë historinë e tij kriminale, nuk mbahet në kafaz gjatë seancës gjyqësore. Procesi ndaj tij zgjati rreth dy muaj dhe, gjatë gjithë asaj kohe, ai nuk u mbajt në kafaz apo në ndonjë hapësirë të izoluar nga pjesa tjetër e sallës. Madje, në një moment, drejton edhe gjeste kërcënuese ndaj trupit gjykues. Në video shihet edhe nëna e tij, e cila merr pjesë në seancë si pjesë e publikut. Por mbi të gjitha, aty ka kamera. Procesi filmohet dhe publiku mund të ndjekë drejtpërdrejt se çfarë ndodh brenda sallës së gjyqit. LEXO EDHE:Laboratori i kokainës në Frakull, GJKKO lë në burg ‘kimistin’ kolumbian! U ekstradua 2 ditë më parë Gati tridhjetë vjet më vonë, në një Shqipëri që pretendon se ka ndërtuar një drejtësi të re, më moderne dhe me standarte të supozuara më europiane, pamja e ofruar është paradoksalisht krejt ndryshe. Në GJKKO, të pandehurit vendosen pas një kafazi xhami edhe në procese ku bëhet fjalë për ish-ministra, deputetë, kryebashkiakë apo zyrtarë të lartë, për të cilët vështirë se mund të argumentohet automatikisht se prania e tyre e lirë në sallë përbën rrezik sigurie. Kafazi, nga një masë që logjikisht duhet të lidhej me një vlerësim konkret të rrezikut, është kthyer praktikisht në pjesë të skenografisë së drejtësisë së posaçme. Por tani kësaj skenografie i shtohet edhe një mur tjetër, këtë herë mes gjykatës dhe publikut. Rregullorja e re e sigurisë e GJKKO-së vendos një seri procedurash dhe kufizimesh për median, duke nisur nga kërkesa paraprake për t'u lejuar në seancë, tek dhënia e autorizimit për fotografim, regjistrim audio e video dhe transmetim, si dhe kufizime mbi mjetet me të cilat gazetarët mund të raportojnë nga seancat. Sigurisht që një gjykatë duhet të ketë rregulla sigurie dhe vetë kërkesa për akreditim të gazetarëve nuk është në vetvete problem. Problemi nis kur raportimi nga një proces me interes publik trajtohet sikur të ishte një privilegj që administrata e gjykatës mund ta japë ose ta kufizojë, dhe jo një element themelor të publicitetit të drejtësisë. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në GJKKO, pasi kjo nuk është një gjykatë periferike që merret me mosmarrëveshje private. Përkundrazi, në këtë institucion zhvillohen disa prej proceseve me interesin më të madh publik në vend. Aty gjykohen njerëz që kanë ushtruar pushtet të konsiderueshëm politik dhe ekonomik dhe çështje që kanë prodhuar debat në nivel kombëtar. Për këtë arsye është absurde që sot, në vend që të debatohet si mund të transmetohen më shumë procese me interes publik, në fakt diskutohet se çfarë duhet të bëjë një gazetar për të raportuar nga procese të tilla. Ndonëse drejtësia e '97-ës nuk ka asgjë për t'u romantizuar, video më poshtë përmban në vetvete një paradoks. Në vitin më kaotik të Shqipërisë postkomuniste, një prej njerëzve më të rrezikshëm të asaj kohe mund të dilte përpara gjykatës pa u izoluar në kafaz dhe procesi i tij mund të filmohej nga kamerat e të transmetohej 'live' nga mediat. Ndërkaq, në 2026-ën kjo është e pamundur. Për më tepër, kafazit fizik që ndan të pandehurin nga salla, GJKKO po i shton tani edhe një kafaz administrativ mes gjykatës dhe publikut./TemA SI.E./Shqiptarja.com TAG: rregullorja e GJKKO GJKKO Zani Çaushi Komente Komento cuf dabjoni: 08/08/2026 09:14 Per PS dhe Qeverinë Nano Zani ishte Hero... ai doli nga burgu dhe vetëm një vit me vone (pasi vrau dhe nja 3-4 te tjerë), ...nuk pranoi te largohej,,,, me urdhër nga jashtë u arrestua e u dënua me 101 vite Përgjigju Sondazhi i ditës:
5 Gusht, 13:27
GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord? Po 34.2% Jo 61% Nuk e di 4.8% Vota total: 3117 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 5 Gusht, 13:27 GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord?
