Një familje arinjsh është shfaqur sot në Gjegjan të Pukës, në një zonë të pyllëzuar pranë banesave. Pamjet e filmuara nga banorët tregojnë arinjtë teksa lëvizin në terrenin malor, duke ofruar një tjetër dëshmi të pasurisë së faunës së egër në këtë zonë.
Shfaqja e tyre ka tërhequr vëmendjen e banorëve, ndërsa prania e kafshëve të egra pranë zonave ku lëvizin njerëzit kërkon kujdes të shtuar. Rekomandohet që askush të mos afrohet, t’i ndjekë apo t’i provokojë arinjtë, por të ruajë distancën dhe të njoftojë autoritetet nëse kafshët afrohen pranë banesave.
Pamje të tilla janë gjithmonë një spektakël për të apasionuarit pas natyrës, por njëkohësisht rikujtojnë rëndësinë e bashkëjetesës me faunën e egër. Gjegjani dhe zonat përreth Pukës vijojnë të mbeten ndër territoret ku natyra e egër është ende pjesë e përditshmërisë.

