Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, i ftuar në studion e News24, deklaroi se protestat kanë tronditur regjimin dhe pushtetin e kryeministrit Edi Rama. Gjatë intervistës, Gjekmarkaj u ndal te protestat e studentëve dhe pedagogëve, duke i cilësuar ata si elitën e vendit. Sipas tij, kjo elitë është shprehur masivisht përmes një peticioni ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Rama. Deputeti demokrat kritikoi gjithashtu qeverinë për atë që e cilësoi si dështim në përmbushjen e angazhimeve ndaj studentëve, duke iu referuar Paktit për Universitetin. Sipas tij, studentët kanë vetëm një kërkesë, dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa problemet e tyre nuk mund të zgjidhen përmes bisedimeve me një qeveri që, sipas deputetit të PD-së, ka përqendruar një pjesë të madhe të pushtetit. Në vijim, deputeti demokrat theksoi se, kur qytetarët nuk përfaqësohen dhe u pamundësohet vota e lirë, protestat mbeten një nga mënyrat e reagimit të shoqërisë. “Studentët dhe pedagogë janë elita e një vendi dhe kjo elitë ka folur në mënyrë masive. Kanë firmosur një peticion ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama. Kryeministri flet për pakt për Universitetit, por ka qenë një copë letër. Asgjë për studentët, vetëm arrogancë e gënjeshtra. Ndaj studentët kanë vetëm një kërkesë që është dorëheqja. Dhe asgjë tjetër nuk i zgjidh shqetësimet e tij të shumta. Është e kotë të bisedosh me një qeveri, mazhorancë që ka uzurpuar 78 % të pushtetit në Shqipëri. Ai do të ketë çdo institucion. Këta njerëz në momentin që nuk përfaqësohen dhunohen dhe u pamundësohet vota e lirë dhe nëse ky raport është shkatërruar, atëherë çfarë i mbetet një shoqërie.”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
