Albin Kurti / Brukseli kundërshtoi ndërhyrjen ndaj Gjykatës Speciale, ndërsa Uashingtoni negocioi marrëveshjen mes Albin Kurtit dhe PDK-së. Zgjedhja e Justina Shiroka Pulajt si presidentja e parë katolike i dha paktit edhe një simbolikë identitare e gjeopolitike... Të enjten e shkuar, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, mbështeti vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Deklarata erdhi në kulmin e protestës popullore në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale dhe në momentin kur PDK-ja kishte dërguar me urgjencë në Kuvend një draftligj që synonte t’i vendoste fre veprimtarisë së saj. Mesazhi i Brukselit ishte i qartë: Bashkimi Europian nuk e donte miratimin e ligjit.
Sipas informacioneve që vijnë nga Prishtina, aksioni europian nuk u ndal me deklaratën e von der Leyen. Pothuajse të gjithë ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, së bashku me ambasadorin britanik, u angazhuan për ta penguar procesin.
Ambasadorët e vendeve të Quintit zhvilluan gjithashtu një takim me ministren e Drejtësisë së Kosovës, por pa pjesëmarrjen e përfaqësueses amerikane.
Gjithçka duket se pati një katalizator tjetër: amerikanët. Këtë herë ata u angazhuan fort, intensivisht dhe nëpërmjet një procesi negociatash që qëndroi larg vëmendjes publike.
Në këtë aksion hyri edhe Tirana. Sipas të njëjtave burime, një rol luajti edhe ambasadori i ri amerikan në Shqipëri, i vetmi ambasador i Uashingtonit në rajon që kishte mbërritur vetëm pak ditë më parë.
Nisma zyrtare e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, mësohet se u ndërmor pas konsultimeve të plota me faktorin amerikan, natyrisht në mënyrë diskrete.
Albin Kurti nuk e refuzoi marrëveshjen, ndërsa disa qarqe brenda qeverisë së tij e kundërshtuan. Mes tyre spikati Donika Gërvalla, e cila ruan lidhje të forta politike me Gjermaninë dhe ka edhe shtetësi gjermane.
Pas presionit të von der Leyen dhe ambasadorëve të Quintit, miratimi i ligjit dukej pothuajse i pamundur. Kriza institucionale shkoi deri në fije të perit.
Mbrëmë vonë, amerikanët intensifikuan ndërhyrjen e tyre dhe në lojë hyri edhe Tirana, dukshëm në konsultim me qarqet diplomatike të SHBA-së.
Kreu i shtetit shqiptar, i cili ka kanale të mira komunikimi me qeverinë dhe mazhorancën e Kosovës, mësohet se përcolli një mesazh për zgjidhjen e krizës nëpërmjet një marrëveshjeje që do të shmangte traumën institucionale.
Edi Rama, ndërkaq, përdori ndikimin që ka në Partinë Demokratike të Kosovës, ku ekzistonin paqartësi dhe kundërshti rreth marrëveshjes me Albin Kurtin.
Në fund, palët e arritën paktin pas një telefonate të rëndësishme mes Albin Kurtit dhe një zyrtari të lartë amerikan, për identitetin e të cilit dihet ende pak.
Në Prishtinë kanë nisur kundërshtimet ndaj marrëveshjes. Kritikët e saj e cilësojnë atë si gjunjëzim të PDK-së përballë Vetëvendosjes dhe si varrosje për së gjalli të ish-krerëve të UÇK-së.
Përzgjedhja e një presidenteje të Republikës nga komuniteti katolik, për herë të parë në historinë e Kosovës, mbart një simbolikë që shkon përtej politikës së ditës. Ajo prek identitetin dhe pozicionimin gjeopolitik të shtetit të Kosovës.
Justina Shiroka Pulaj është një politikane e njohur e PDK-së dhe drejton Akademinë e Shkencave. Përkatësia e saj katolike përbën një sprovë të re për shoqërinë kosovare.
Kjo zgjedhje ka trazuar qarqet e islamit politik, të cilat ende nuk kanë reaguar publikisht, por pritet ta përdorin këtë zhvillim për të ndërtuar një kauzë të re.
Perëndimi e ka pritur mirë zgjedhjen e saj. Tani priten sinjalet nga Turqia, e cila ruan interesa të forta politike dhe fetare në Ballkan.
Vjosa Osmani takohej shpesh me Recep Tayyip Erdoganin dhe e përshëndeste në turqisht. Në një rast, presidenti turk ia ktheu me ironi: “Mësoje mirë gjuhën, sepse di vetëm disa fjalë”.
Kosova tani ka hyrë në një fazë tjetër. Marrëveshja e ndërmjetësuar nga amerikanët zgjidhi krizën e menjëhershme, por zgjedhja e presidentes së parë katolike ka hapur një debat më të gjerë për identitetin, aleancat dhe drejtimin gjeopolitik të vendit./Pamfletipakti i fshehtë amerikan kriza në kosovë presidenti Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Shqipëria mes Mossad-it dhe MIT-it, loja e rrezikshme e Edi Ramës 6 Tetor 2026, 11:0711:07Editorial Republika e videove erotike 5 Tetor 2026, 11:3511:35Editorial A do t’i mbijetojë Amerika Trumpizmit? 4 Tetor 2026, 13:5313:53Editorial Ron Yeffet dhe “sëmundja” e vjetër e Edi Ramës 3 Tetor 2026, 14:2414:24Editorial Kur teknologjia bie në duart e barbarëve 2 Tetor 2026, 12:4212:42Editorial Grahmat e fundit të malavitës 1 Tetor 2026, 11:1311:13Editorial

