Paketa Fiskale 2027 sjell lehtësi për konsumatorët dhe një pjesë të të punësuarve, por në të njëjtën kohë parashikon ndryshime që shtojnë kostot për bizneset. Për ekspertin fiskal Eduart Gjokutaj, problemi qëndron te mungesa e një vlerësimi të plotë që të tregojë se si ndërthuren këto masa dhe kush përfiton apo paguan më shumë prej tyre. “Paketa ka elemente lehtësuese, por mungon një vlerësim i integruar që të tregojë kush përfiton, kush paguan dhe si shpërndahet efekti sipas të ardhurave dhe sektorëve. Nëse mungon, edhe ajo që konsiderohet përmirësim mbetet e parakohshme”, thotë Gjokutaj.
Një nga ndërhyrjet kryesore është te TVSH-ja. Paketa parashikon uljen e saj për ushqimet, ndërsa në kahun tjetër propozohet rritja e normës standarde nga 20% në 21%, ndryshimi i normës për akomodimin dhe ulja e pragut të regjistrimit në TVSH për bizneset.
“E gjithë paketa me TVSH-në nuk është në një drejtim të vetëm, pasi parashikon uljen e TVSH-së për ushqimet, lehtësimin e tatimit mbi disa paga dhe, nga ana tjetër, rritjen e TVSH-së standarde, e cila ndodh për herë të parë nga 20% në 21%. Por ia vlen të diskutohet edhe rritja e normës së akomodimit dhe ulja e pragut të regjistrimit për TVSH për bizneset”, shprehet eksperti.
Sipas Gjokutajt, këto ndryshime nuk shkojnë në sinkron me Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, e cila, siç thotë ai, është harmonizuar me sugjerimet e Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Për uljen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore, Gjokutaj vlerëson se masa është e arsyeshme për të lehtësuar konsumin, por thekson se nuk mund të ketë apriori garanci se ulja e normës do të reflektohet e plotë në çmimin përfundimtar.
“Rezultati varet nga prodhuesit, importuesit, grumbulluesit, tregtarët, nga i gjithë zinxhiri i furnizimit”, thotë ai. Megjithatë, ai thekson se çmimi përfundimtar mund të ndikohet edhe nga kostot e furnizimit dhe konkurrenca.
Një tjetër pikë ku Gjokutaj sheh rrezik për biznesin është ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.
“Rreziku ekziston. Ulja e pragut nga 10 milionë në 5 milionë përfshin deri në 20 mijë tatimpagues të rinj. Ky është një qëndrim pozitiv me kërkesat e FMN-së, por kjo e vë biznesin para një fakti të kryer. Është mësuar me atë regjim që deri në 2029 do të ishte”, thotë Gjokutaj.
Sipas tij, ndryshimi i regjimit nuk sjell vetëm detyrimin për t’u futur në skemën e TVSH-së. Për bizneset e vogla do të ketë edhe shpenzime të tjera që lidhen me kontabilitetin, faturimin dhe deklarimin.
“Një ulje e TVSH-së diku, rritje e TVSH-së diku tjetër, japin efekt minimal sesa ajo që synohet. Për bizneset e vogla ndryshimi mund të sjellë edhe shpenzime shtesë për kontabilitet, faturim, deklarim. Bien në konfuzion me skemën e deritanishme”, thotë eksperti.
Ndryshimi, sipas tij, mund të prekë edhe bizneset që kanë bërë plane financiare duke u mbështetur te regjimi aktual, përfshirë ato që mund të jenë angazhuar në kredi.
Paketa ndërhyn gjithashtu te tatimi mbi të ardhurat nga pagat. Gjokutaj shpjegon se skema e propozuar rrit pragun e bazës së tatueshme që tatohet me 13%, ndërsa norma 23% do të zbatohet në fashën nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë. Për kategorinë mbi 700 mijë lekë parashikohet një normë e re deri në 32%.
Sipas ekspertit, përfitimin kryesor nga ndryshimi i fashave e kanë punonjësit me paga mbi 200 mijë lekë, ndërsa norma e re do të rrisë kontributin e pagave më të larta.
Në analizën e tij, Gjokutaj e përmbledh Paketën Fiskale si një ndërthurje masash që lehtësojnë konsumatorët dhe punonjësit, por që nga ana tjetër krijojnë rreziqe dhe kosto të reja për sipërmarrjen.
“Paketa e propozuar ka masa për të ndihmuar konsumatorët dhe punonjësit, por rrezikon bizneset. Ajo që është thënë nga vetë bizneset dhe organizatat e huaja është se kërkojnë klimë biznesi të parashikueshme”, thotë ai.
Gjokutaj kritikon veçanërisht mungesën e analizës së kostove që ndryshimet mund të krijojnë për sipërmarrjen.
“Më shumë përkthehet në kosto sesa në administrim. Paketat e bëra në nxitim, me kosto të tilla të paanalizuara dhe me llogaritje për të mbushur buxhetin, nuk përcjellin mesazhin e duhur”, përfn eksperti fiskal. Top Channel

