Lajme Zone
Paketa e re fiskale/ Uljet tatimore dhe sponsorizimet llogaritje mbi xhiron
EkonomiCNA

Paketa e re fiskale/ Uljet tatimore dhe sponsorizimet llogaritje mbi xhiron

Bizneset që sponsorizojnë veprimtari në fushën e sportit, artit dhe kulturës do të përfitojnë nga një skemë e re e njohjes së shpenzimeve për efekt tatimor, me një kufi deri në 3% të të ardhurave totale bruto, nga 5% e fitimit para tatimit që parashikon legjislacioni aktual. Ndryshimet janë propozuar në kuadër të paketës fiskale 2027 në projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29/

Bizneset që sponsorizojnë veprimtari në fushën e sportit, artit dhe kulturës do të përfitojnë nga një skemë e re e njohjes së shpenzimeve për efekt tatimor, me një kufi deri në 3% të të ardhurave totale bruto, nga 5% e fitimit para tatimit që parashikon legjislacioni aktual.

Ndryshimet janë propozuar në kuadër të paketës fiskale 2027 në projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, që rishikon mënyrën e llogaritjes së sponsorizimeve të zbritshme nga baza e tatueshme për bizneset.

Ndryshimi më i rëndësishëm është kalimi nga fitimi para tatimit tek të ardhurat totale bruto si bazë për përllogaritjen e kufirit të sponsorizimeve për sportin, artin dhe kulturën. Kjo mund të zgjerojë ndjeshëm hapësirën për sponsorizime të njohura për efekt tatimor, veçanërisht për kompanitë me xhiro të lartë, por me norma relativisht të ulëta fitimi.

Sipas projektligjit, shumat e sponsorizuara në këto fusha do të njihen si shpenzime të zbritshme deri në 3% te të ardhurave totale bruto, por vendosen edhe dy kufizime monetare, jo më shumë se 2 miliardë lekë në rang kombëtar dhe jo më shumë se 300 milionë lekë për një sponsorizues.

Me skemën e re, një kompani me të ardhura bruto prej 1 miliard lekësh mund të ketë një kufi sponsorizimi të zbritshëm prej 30 milionë lekësh. Nëse e njëjta kompani do të kishte fitim para tatimit prej 100 milionë lekësh, sipas skemës aktuale kufiri bazë prej 5% do të ishte 5 milionë lekë.

Projektligji parashikon gjithashtu se zbritja do të lejohet vetëm për subjektet sponsorizuese që plotësojnë kushtet e përcaktuara në legjislacionin përkatës dhe janë të pajisura me vërtetim nga ministria përgjegjëse për artin, sportin dhe kulturën.

Një tjetër kusht është pajisja me “Autorizimin e sponsorizimit”, të lëshuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Shpenzimet duhet të jenë kryer gjatë periudhës përkatëse tatimore dhe pas lëshimit të autorizimit, ndërsa nuk lejohet mbartja e tyre në periudhat pasardhëse.

Shumat e sponsorizuara për sportin, artin dhe kulturën, brenda kufijve të përcaktuar, do të deklarohen veçmas në deklaratën vjetore të tatimit mbi të ardhurat e korporatës.

Ndryshimi prek edhe skemën aktuale të sponsorizimeve sportive, ku legjislacioni në fuqi lejon njohjen si shpenzim të zbritshëm të trefishit të shumës së sponsorizuar për kategori të caktuara të sportit, me kusht që sponsorizuesi të realizojë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milionë lekë. Në formulimin e ri nuk parashikohet më kjo dispozitë e veçantë, ndërsa sporti trajtohet së bashku me artin dhe kulturën.

Për sponsorizimet e botuesve të shtypit, botimeve të veprave letrare, shkencore dhe enciklopedike, si dhe aktiviteteve të kërkimit dhe zhvillimit, projektligji ruan kufirin e njohjes së shpenzimeve deri në 5% të fitimit para tatimit. Për sponsorizimet e veprimtarive të tjera, që nuk përfshihen në kategoritë e mësipërme, kufiri i njohjes së shpenzimeve mbetet 3% e fitimit para tatimit./ Monitor Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.