Lajme Zone
“Paguajnë 24 mijë paund dhe kalojnë me pasaporta false”, media britanike zbulon skemën e kontrabandistëve shqiptarë
BotëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

“Paguajnë 24 mijë paund dhe kalojnë me pasaporta false”, media britanike zbulon skemën e kontrabandistëve shqiptarë

Një hetim i medias britanike “Sky News” ka hedhur dritë mbi një skemë të kontrabandës së emigrantëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku një kontrabandist nga Shqipëria pretendon se, kundrejt 24 mijë paundëve, organizon kalimin e emigrantëve përmes Tunelit të Kanalit duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe automjete luksoze.

Një hetim i medias britanike “Sky News” ka hedhur dritë mbi një skemë të kontrabandës së emigrantëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku një kontrabandist nga Shqipëria pretendon se, kundrejt 24 mijë paundëve, organizon kalimin e emigrantëve përmes Tunelit të Kanalit duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe automjete luksoze. Sipas artikullit, kontrabandisti pohon se emigrantët transportohen deri në Londër në sediljen e pasagjerit të një Range Rover me vlerë rreth 100 mijë paund, ndërsa kalojnë kontrollet kufitare me pasaporta të falsifikuara. Burime të Ministrisë së Brendshme britanike thonë se nuk është befasi që Tuneli i Kanalit po përdoret gjithnjë e më shumë nga rrjetet e kontrabandës. Sipas tyre, ka raste kur emigrantët kanë pranuar se kanë kaluar kontrollet kufitare duke paraqitur dokumente false, pa u zbuluar nga autoritetet. Një ish-oficer i Forcës Kufitare britanike deklaroi se stafi në pikat kufitare përballet me presion të madh për shkak të fluksit të lartë të udhëtarëve, ndërsa mungesa e personelit dhe nevoja për investime në teknologji e bëjnë më të vështirë identifikimin e rasteve të mashtrimit.

Sipas tij, edhe pse kontrollet janë të avancuara, kontrabandistët po përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara, duke shfrytëzuar dokumente të vërteta të vjedhura ose pasaporta të falsifikuara që ngjajnë me origjinalet. Hetimi ngre gjithashtu shqetësime për fatin e emigrantëve që futen ilegalisht në Britani. Organizatat që luftojnë skllavërinë moderne paralajmërojnë se shumë prej tyre përfjnë në rrjetet kriminale për të shlyer borxhet ndaj kontrabandistëve, duke u detyruar të punojnë në kultivimin ose shpërndarjen e drogës.

Sipas organizatës Unseen, rastet e shfrytëzimit për shkak të borxheve janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa viktimat shpesh mbeten të bllokuara në ciklin e krimit, pasi borxhet e tyre fryhen vazhdimisht. Eksperti i sigurisë, Dr. Andi Hoxhaj, tha se pas Brexit-it është bërë më e vështirë shkëmbimi i informacionit mes autoriteteve britanike dhe atyre evropiane, çka sipas tij u ka krijuar më shumë hapësirë grupeve të krimit të organizuar për të lëvizur dhe vepruar.

Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme britanike këmbëngul se kontrollet në Tunelin e Kanalit mbeten ndër më të avancuarat në botë dhe se rastet e hyrjeve të paligjshme përmes kësaj rruge janë të pakta. Sipas saj, kërkesat për azil nga personat që hyjnë ilegalisht me automjete ose kamionë kanë rënë me 25% gjatë vitit të fundit, ndërsa mbi 70 mijë persona pa të drejtë qëndrimi janë larguar nga Mbretëria e Bashkuar që nga zgjedhjet e fundit. Top Channel