Pas interesimit të Top Channel Ministria e Financave ka reaguar në lidhje me kërkesën për zhbllokimin e pagave të magjistratëve dhe personelit të sistemit të drejtësisë, duke sqaruar se pagat nuk janë bllokuar, por se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë paraqitur listëpagesat e muajit gusht mbi një metodologji të ndryshme nga ajo që është aktualisht në fuqi. Në një letër drejtuar KLGJ-së dhe KLP-së, Malaj kërkon që listëpagesat dhe urdhërshpenzimet e muajit gusht të paraqiten sërish sipas metodologjisë së përdorur deri në muajin korrik, pasi ndryshimet e reja në pagat e magjistratëve ende nuk janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Sipas Ministrit të Financave, vendimi nr. 15, datë 17.02.2026, i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe detyrues, por zbatimi i tij kërkon ndryshimet ligjore përkatëse, të cilat i janë lënë për miratim Kuvendit.
“Ministria e Financave, as nuk mund të zëvendësojë Kuvendin në ushtrimin e funksionit normativ, as nuk mund të përcaktojë, nëpërmjet procedurave të ekzekutimit buxhetor, formulën konkrete të pagës dhe aq më pak mund të ekzekutojë urdhëra që vijnë nga autoritete të nderuara të pushtetit gjyqësor, të cilat nuk e kanë autoritetin ekskluziv parlamentar të miratimit të ndryshimeve në buxhetin e shtetit shqiptar”, tha ministri i Financave, Petrit Malaj.
Në këtë kuadër ministei Malaj i kërkon KLGJ-së dhe KLP-së që të paraqesin pa vonesë listëpagesat e muajit gusht sipas parametrave të përdorur në listëpagesën e muajit korrik, me qëllim që pagesat të mund të procedohen menjëherë.
“Sapo strukturat e Thesarit të disponojnë listëpagesat sipas parametrave në fuqi, ato do të procedojnë me përparësi dhe që të kryejnë pa vonesë pagesat”, u shpreh Malaj.
Ministria e Financave deklaron për Top Channel se nëse nga Kuvendi miratohen ndryshimet e kërkuara, vet institucioni do të marrë menjëherë masat për zbatimin e tyre të plotë.
Rikutjojmë se më 26 gusht KLGJ dhe dy ditë më pas KLP e përcaktuan vetë pagën referencë të gjyqtarëve e prokurorëve, me një rritje të konsiderueshme, me argumentin se Kuvendi nuk kishte miratuar një formulë të re brenda 31 korrikut edhe pse ishte i detyruar nga vendimi i Gjykatës Kushtetueses. Top Channel

