Këtë të premte tregtarët ambulantë të produkteve të përdorura në lagjen "Çlirimi" të qytetit të Elbasanit janë ngritur në protestë, si shkak i masës së komunikuar ndaj tyre nga Bashkia Elbasan për moslejimin më të tregtimit në atë zonë. Ata shprehen të shqetësuar se prej më shumë se 20 vitesh shesin produktet e tyre në këtë lagje dhe se me atë punë mbajnë familjet e se nga ky vendim preken rreth 37 tregtarë.Lexo edhe:Kompleksiteti seksual i mashkullit spanjoll Sipas tregtarëve, më parë nga kryetari i bashkisë dhe deputetët e PS-së u është premtuar se nuk do të lëvizin, por tashmë askush nuk u përgjigjet. Ndonëse kanë kërkuar një takim me kryetarin e bashkisë, askush nuk ka tentuar të komunikojë me ta dhe të gjejë një rrugë zgjidhjeje, duke i lënë të pashpresë. Tregtarët kërkojnë barazi, pasi thonë se nuk janë të vetmit që shesin në këtë mënyrë, ndaj kërkojnë një takim për të diskutuar mundësitë e tyre për të vijuar tregtimin, pasi në këtë mënyrë nuk mund të sigurojnë paratë për të ushqyer familjet e tyre. Në të kundërt, tregtarët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat para dyerve të bashkisë deri në një rishikim të vendimit.

