Në ditën e 98-të të protestës përpara godinës së Kryeministrisë, aktivisti Arben Kola ka lëshuar akuza ndaj enteve rregullatore dhe agjencive kryesore të shtetit. Ai ka kërkuar që zyrtarët përgjegjës të shpallen tradhtarë të kombit, duke i cilësuar këto institucione si organizata terroriste përgjegjëse për vëllavrasjet, helmimin e popullatës dhe grabitjen ekonomike në vend. Gjatë fjalës së tij në bulevard, Kola radhiti dëmet historike të shkaktuara nga disa prej institucioneve më të rëndësishme. Ai e cilësoi Hipotekën e sotme si shkaktaren numër një të konflikteve sociale, vëllavrasjeve dhe grabitjes së tokave të shqiptarëve që nga viti 1998. Më tej, aktivisti sulmoi ashpër Agjencinë Kombëtare të Ushqimit (AKU) për lejimin e helmimit të popullatës prej 11 vitesh përmes hyrjes së miellit nën-standard nga Serbia, mishit me salmonelë dhe ushqimeve të skaduara. Akuzave nuk i shpëtoi as Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT), e cila u denoncua për mungesën kronike të ujit të pijshëm në çezma dhe tjetërsimin e investimeve të premtuara që prej vitit 2013 nga Edi Rama për ujë 24 orë. Më tej, aktivisti u ndal te kapja e enteve financiare dhe energjetike nga klika politike. Enti Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u cilësua prej tij si fole pazaresh mes PS, PD dhe LSI, që lejon grabitjen e qytetarëve përmes rënies së valutave të huaja pa u reflektuar në uljen e çmimeve të konsumit. Në të njëjtën linjë, Enti i Hidrokarbureve u akuzua për lejimin e shkatërrimit të rafinerisë së Ballshit dhe çmimin më të lartë të naftës në Europë, ndërsa OSHEE dhe KESH u denoncuan për burgosjen e qytetarëve të thjeshtë për fatura 1 milion lekësh. Në përmbyllje, Kola denonsoi Ministrinë e Bujqësisë për shkatërrimin e sektorit që prej vitit 2014 dhe dëbimin e fermerëve të rikthyer nga emigracioni, duke theksuar se përballë këtij rrjeti korruptiv reagimi qytetar në rrugë mbetet e vetmja rrugëdalje. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
