Protesta të organizuara në Prishtinë në mbështetje të ish-liderëve të UÇK Gjykata në Hagë pritet të japë vendimin e shkallës së parë ndaj ish-presidentit të Kosovës dhe tre të bashkakuzuarve. Një dënim i Hashim Thaçit mund të ushqejë pretendimin se NATO bashkëpunoi gjatë luftës së vitit 1999 me një person të dënuar më pas për krime lufte, ndërsa Kosova përballet edhe me tensione të brendshme politike… Kosova po hyn në ditë me zhvillime të rëndësishme politike dhe gjyqësore, të cilat mund të ndikojnë edhe në debatin për rolin e NATO-s gjatë luftës së vitit 1999. Të mërkurën pritet në Hagë vendimi i shkallës së parë në procesin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre të bashkakuzuarve.
Thaçi ishte drejtor politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës.
Michael Martens në një artikull në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, e përshkruan UÇK-në si një forcë të armatosur të shqiptarëve të Kosovës që luftoi kundër represionit shtetëror serb, duke përdorur mjete të dhunshme, të cilat autori në disa raste i cilëson edhe si terroriste.
Sipas Martens, Thaçi ishte një partner i rëndësishëm i vendeve perëndimore gjatë luftës. Ai mbeti një bashkëbisedues qendror i politikës perëndimore edhe pas përfundimit të konfliktit, gjatë ndërtimit të institucioneve demokratike në Kosovën e administruar atëherë nga Kombet e Bashkuara.
Nëse Thaçi shpallet fajtor, procesi nuk do të përfjë domosdoshmërisht me vendimin e shkallës së parë, pasi mbrojtja pritet ta apelojë atë. Megjithatë, sipas analizës së FAZ, një vendim fajësie mund të përdoret veçanërisht në Moskë dhe Beograd për të promovuar pretendimin se NATO, gjatë bombardimeve të Jugosllavisë në vitin 1999, bashkëpunoi me një person të dënuar më pas për krime lufte.
Në Kosovë, vendimi i pritshëm ka mobilizuar mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së. Të shtunën, në Prishtinë u zhvillua një tubim solidariteti për Thaçin dhe të bashkakuzuarit. Agjencia AFP raportoi për dhjetëra mijëra pjesëmarrës, ndërsa AP foli për disa mijëra. Në tubim u valëvitën flamuj të UÇK-së dhe u shfaqën mesazhe në mbështetje të ish-drejtuesve të saj.
Në të njëjtën kohë, Kosova po përballet me një situatë të ndërlikuar politike. Për një periudhë dukej se vendi mund të shkonte drejt zgjedhjeve të katërta parlamentare në më pak se dy vjet, për shkak të bllokimit mes forcave kryesore politike. Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti ka dalë forca më e madhe politike në zgjedhjet e fundit. Në votimin e qershorit ajo mori më shumë se 47 për qind të votave, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e themeluar nga Thaçi pas luftës dhe ku u përfshinë shumë ish-pjesëtarë të UÇK-së, u rendit e dyta me rreth 20 për qind.
Pas muajsh vonesash, të dielën parlamenti arriti të zgjidhte qeverinë e re, sërish të drejtuar nga Kurti. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, deklaroi se 62 deputetë në parlamentin me 120 vende votuan për kabinetin e ri. Kurti tha se një nga objektivat kryesorë të qeverisë së tij do të jetë sigurimi i statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, zgjedhja e presidentit të ri mbetet e pazgjidhur. Presidenti në Kosovë zgjidhet nga Kuvendi dhe, në fazën përfundimtare, nevojiten 61 vota. Për zhvillimin e votimit kërkohet gjithashtu prania e të paktën 80 deputetëve, çka i jep opozitës mundësinë ta bllokojë procesin përmes bojkotit.
Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kishin arritur marrëveshje për ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Bekim Sejdiu si kandidat kompromisi. Sejdiu ka përfaqësuar Kosovën edhe si ambasador në Turqi dhe konsull i përgjithshëm në Nju Jork. Sipas FAZ, votimi nuk është zhvilluar për shkak të kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së.
Ndërkohë, një kthim i shpejtë i Thaçit në Kosovë nuk pritet. Sipas analizës së Martens, edhe në rast pafajësie prokuroria ka gjasa ta apelojë vendimin. Në rast dënimi, autori parashikon protesta të tjera dhe ngre mundësinë e trazirave.
FAZ vëren se shumica e shqiptarëve të Kosovës vazhdojnë të kenë orientim properëndimor dhe proamerikan. Në opinionin publik mbetet e fortë bindja se ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1999, dhe mbështetja perëndimore për pavarësinë e shpallur më 2008 ishin vendimtare për krijimin e shtetit të Kosovës. Në të njëjtën kohë, sipas gazetës gjermane, një pjesë e madhe e opinionit në Kosovë e konsideron të padrejtë procesin e Gjykatës Speciale ndaj Thaçit.
Pas luftës, reputacioni i Thaçit dhe i disa ish-drejtuesve të UÇK-së ishte dobësuar. Ata u përballën me akuza politike dhe publike për korrupsion dhe përfitime nga pushteti, zhvillime që, sipas Martens, kontribuuan edhe në ngritjen politike të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes.
Megjithatë, procesi në Hagë ka ndryshuar përsëri perceptimin ndaj Thaçit në një pjesë të opinionit kosovar. Sipas analizës së Michael Martens në FAZ, gjyqi ka ndikuar në rritjen e mbështetjes për ish-presidentin, ndërsa vendimi i pritshëm mund të ketë pasoja jo vetëm për politikën e brendshme të Kosovës, por edhe për debatin ndërkombëtar mbi luftën e vitit 1999 dhe marrëdhëniet e atëhershme të NATO-s me drejtuesit e UÇK-së. /Përshtati Pamfleti/ thaci haga vendimi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kosova “O Hashim, ti ku je, krejt Kosovën këtu e ke”, shqiptarët "pushtojnë" sheshet në Hagë (Video) 15 Shtator 2026, 20:2220:22Kosova Kosova në prag të verdiktit të Hagës/ KFOR merr masa, avionë ushtarakë zbarkojnë në Prishtinë 15 Shtator 2026, 18:1018:10Kosova 45 vjet burg për Hashim Thaçin? Haga përballë një prej figurave që ndryshoi hartën politike të Ballkanit 15 Shtator 2026, 17:4917:49Kosova Ngërçi politik në Kosovë, LVV dhe LDK pezullojnë bisedimet për presidentin 15 Shtator 2026, 17:1117:11Kosova Nesër vendimi për ish-krerët e UÇK, edhe Britania thirrje për qytetarët e saj: Shmangni demonstratat! 15 Shtator 2026, 15:3415:34Kosova Nesër gjyqi në Hagë për Thaçin; kush janë 4 gjyqtarët që kanë në dorë fatin e ish-krerëve së UÇK-së 15 Shtator 2026, 13:3013:30Kosova

