Foto Pamfleti / Netanyahu përballë pasigurisë politike në Izrael. Zgjedhjet e 27 tetorit kanë vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e pushtetit të tij, ndërsa vendi përballet me nevojën për një kapitull të ri politik... Në rrëfimin biblik, Baltazari, mbreti i Babilonisë, po festonte në pallatin e tij kur mbi mur u shfaq një dorë misterioze që shkroi tri fjalë: Mene, Mene, Tekel, Parsin. Ishte paralajmërimi se mbretërisë së tij i kishte ardhë fundi. Atë natë, Babilonia ra. Që prej asaj kohe, shkrimi në mur është bërë metafora universale e fundit që sundimtarët nuk duan ta shohin.
A ka ardhur ora e Baltazarit edhe për Benjamin Netanyahun?
Zgjedhjet e 27 tetorit nuk kanë dhënë ende një përgjigje përfundimtare, por projeksionet e kanë zbuluar brishtësinë e pushtetit të tij. Netanyahu kërkon të vazhdojë qeverisjen, opozita pretendon mandatin për ndryshim, ndërsa Izraeli mbetet i ndarë mes dy rrugëve politike.
Por problemi i Izraelit nuk është thjesht aritmetika e 61 mandateve. Është lodhja nga një model qeverisjeje që e ka lidhur për një kohë të gjatë sigurinë kombëtare me fatin politik të një njeriu.
Netanyahu e ka ndërtuar karrierën mbi premtimin për sigurinë. Megjithatë, sulmet e 7 tetorit 2023, lufta shkatërrimtare në Gaza, kriza humanitare dhe përshkallëzimet rajonale e kanë vënë në dyshim efektivitetin dhe koston e kësaj strategjie.
Forca ushtarake mund të fitojë beteja, por nuk mund të prodhojë e vetme paqe. Një shtet mund të ketë ushtrinë më të fuqishme të rajonit dhe përsëri të mbetet peng i pasigurisë, diplomatikisht i ekspozuar dhe pa një horizont të qartë për të ardhmen.
Pikërisht këtu qëndron sfida e Izraelit. Nuk mjafton të ndryshojë qeveria nëse mbetet e pandryshuar filozofia e pushtetit. Vendi ka nevojë për një debat të ri mbi demokracinë, përgjegjësinë politike dhe marrëdhëniet me palestinezët.
Epoka e liderëve që e trajtojnë pushtetin si një mision personal dhe vazhdimësinë e tyre si kusht për mbijetesën e shtetit duhet të marrë fund. Demokracia nuk mund të jetë peng i biografisë së një politikani, sado gjatë të ketë qëndruar ai në krye të vendit.
Izraeli ka nevojë për një udhëheqje që të kuptojë se siguria pa diplomaci prodhon vetëm armëpushime të përkohshme, ndërsa paqja kërkon guximin për të marrë vendime që shpesh janë më të vështira sesa lufta.
Natyrisht, largimi i Netanyahut nuk do t'i zgjidhte automatikisht konfliktet e Lindjes së Mesme. As opozita nuk ka paraqitur ende një formulë të garantuar për kapërcimin e tyre. Por asnjë demokraci nuk duhet ta ngatërrojë qëndrueshmërinë e institucioneve me përjetësinë politike të udhëheqësve të saj.
Baltazari nuk e kuptoi se fundi kishte ardhur derisa pa shkrimin në mur. Netanyahu ende mund të luftojë për pushtetin, por paralajmërimi politik është aty.
Dhe ndoshta mësimi më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve nuk është se kush do ta qeverisë Izraelin nesër, por se asnjë lider nuk mund ta mbajë pafund të ardhmen e një kombi të lidhur me fatin e tij personal.
Sepse historia nuk pyet sa gjatë ke sunduar. Por çfarë ke lënë pas./Pamfletiora e baltazarit gjergj zefi beniamin netanyahu Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Merz-Rama, enigma e takimit të Budvës 27 Tetor 2026, 15:5615:56Editorial Muzgu i Cezarëve 26 Tetor 2026, 11:4111:41Editorial Gotov je! 25 Tetor 2026, 11:2511:25Editorial Kush do të qeverisë pas revoltës së Gjeneratës Z? 24 Tetor 2026, 13:0013:00Editorial Dhjetat tona, plumb për armikun! 23 Tetor 2026, 14:1014:10Editorial Nuk shkohet në Europë me ‘karrocën e Dylit’! 22 Tetor 2026, 14:0614:06Editorial

