Komisioni i Burimeve Natyrore Ka nisur sot në komisionet parlamentare shqyrtimi i projektbuxhetit të vitit 2027, i cili do të jetë në vlerën e 976 miliardë lekëve, ose rreth 10.7 miliardë euro. Në Komisionin e Burimeve Natyrore, ku zëvendësministri i Financave Andi Mehmeti prezantoi fondet e parashikuara për bujqësinë, infrastrukturën dhe mbrojtjen, opozita nuk ishte e pranishme.
Nga buxheti 2027, për bujqësinë janë parashikuar 17.9 miliardë lekë, ose 1.1 miliardë lekë më shumë se buxheti i këtij viti. Nga këto, 5.3 miliardë lekë do të shkojnë për mbështetjen e fermerëve, ndërsa 3 miliardë lekë për kompensimin e TVSH-së në masën 10%.
Sipas zëvendësministrit, qëllimi i kësaj ndarje është që nga këto fonde të përfitojnë më shumë fermerë. “Buxheti për bujqësinë parashikohet të arrijë në 17.9 miliardë lekë, me rritje prej 1.1 miliardë lekësh krahasuar me buxhetin fillestar të këtij viti. Përmes politikave që do të zbatojmë, synojmë rritje të numrit të përfituesve”, u shpreh ai. Ndërsa për sa i përket infrastrukturës, nga buxheti janë parashikuar 75.4 miliardë lekë, shumë e cila parashikohet të përdoren për investime në ujësjellës, portin e ri në Porto Romano dhe Triportin, si dhe për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës dhe rehabilitimin e rrugës Tiranë-Ndroq-Plepa. “Infrastruktura do të marrë 75.4 miliardë lekë. Investime në ujësjellës, portin e ri të Durrësit, portin e Triportit, zgjerimin e Tiranë-Durrës dhe rehabilitimin e Tiranë-Ndroq-Plepa”, theksoi Mehmeti./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.
