Një ngjarje e rëndë me pasoja të mundshme për jetën është parandaluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Rrogozhinë, gjatë operacionit të koduar “Prevent 2”. Aksioni policor çoi në arrestimin e dy të rinjve nga Peqini dhe sekuestrimin e një arme zjarri tip kallashnikov bashkë me municion luftarak. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të datës 13 shtator 2026, kur policia u njoftua se një person po kërcënohej me armë zjarri pranë banesës së një 36-vjeçareje në Rrogozhinë. Sipas verifikimeve të kryera, shtetasi A. S., 35 vjeç, banues në Tiranë, kishte shkuar pranë kësaj shtëpie ku ndodheshin dy të rinjtë A. I., 26 vjeç, dhe O. T., 21 vjeç. Për motive të dobëta, 26-vjeçari A. I. ka nxjerrë armën automatike duke e kërcënuar me vrasje 35-vjeçarin. Pas ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të rendit, u bë i mundur lokalizimi i banesës, ku gjatë kontrollit të ushtruar u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit kallashnikov dhe krrehrat me municion. Në përfundim të veprimeve të para procedurale, policia arrestoi në flagrancë 26-vjeçarin A. I. për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kanosja”, si dhe 21-vjeçarin O. T. për “Moskallëzim krimi”. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për 36-vjeçaren, pronare e banesës, për të njëjtën akuzë të moskallëzimit të krimit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
