Fast Albania ka organizuar një tjetër operacion për kapjen e personave në kërkim, ndërsa sipas njoftimit zyrtar në pranga ka rënë një 23-vjeçar i kërkuar nga Italia. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Breshias, në Itali, në muajin mars 2026, kishte lëshuar urdhër arresti për të, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike”, sipas parashikimeve të Kodit Penal italian. “Në vijim të bashkëpunimit me homologët italianë dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, specialistët e FAST Albania kanë lokalizuar në Durrës dhe kanë arrestuar provizorisht me qëllim ekstradimi shtetasin L. B., 23 vjeç”, njofton policia. Sipas Policisë së Shtetit, 23-vjeçari dyshohet se është pjesëtar i një grupi kriminal në Itali, me veprimtari në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin me homologët italianë për finalizimin e procedurave për ekstradimin e tij drejt Italisë.
