Lajme Zone
Oligarkët rusë, gjithnjë e më të pasur dhe më të frikësuar nën zgjedhën e Putinit: Shteti mund të marrë kontrollin e kompanive tuaja, nëse nuk jeni në gjendje t’i mbroni!
BotëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Oligarkët rusë, gjithnjë e më të pasur dhe më të frikësuar nën zgjedhën e Putinit: Shteti mund të marrë kontrollin e kompanive tuaja, nëse nuk jeni në gjendje t’i mbroni!

Putin i kërcënon me konfiskimin e pasurive, ndërsa ata përpiqen t’i nxjerrin paratë jashtë Rusisë përmes operacioneve të maskuara. Por tashmë oligarkët janë kthyer të gjithë në atdhe, ku po përballen me rreziqe të reja.

Oligarkët në Rusi po i ngjajnë gjetheve të vjeshtës. Vladimir Putin sapo ka firmosur një dekret që u lejon autoriteteve të “marrin përkohësisht nën kontroll infrastrukturën me rëndësi kritike, nëse pronarët e saj nuk janë në gjendje ta mbrojnë nga sulmet me dronë”. Me fjalë të tjera, nëse rafineritë e naftës, depot e gazit apo, në përgjithësi, kompanitë që merren me energjinë, komunikimet, transportin, logjistikën dhe nxjerrjen e lëndëve të para goditen nga sulmet ukrainase, ato mund të konfiskohen dhe të kalojnë nën kontrollin e qeverisë. LEXO edhe...Tre orë bisedime, si shkoi takimi midis të dërguarve të Trump dhe Vladimir Putin? “Mbrojtja më e mirë e mundshme është administrimi shtetëror”, shkroi një gazetë. Por si mund të ndihet një multimiliarder që ia detyron pasurinë pikërisht shtetit dhe liberalizimeve të çmendura të viteve ’90, kur tani shteti – ose më saktë njeriu që ka kontroll absolut mbi të – deklaron publikisht se mund t’ia marrë gjithçka mbrapsht, duke shfrytëzuar një emergjencë të paparashikueshme si një sulm nga ajri? Askush nuk do të derdhë lot për peshkaqenët e ekonomisë ruse, ata që në Bashkimin Sovjetik do të quheshin “peshkaqenët e imperializmit”, term që përdorej dikur për miliarderët perëndimorë. Aq më tepër që nuk po jetojnë aspak keq. Sipas të dhënave më të fundit të Bloomberg Billionaires Index, pasuria e përgjithshme e rusëve më të pasur është rritur sërish gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Aleksei Mordashov, themeluesi i Severstal, gjigant i industrisë së çelikut, e ka çuar pasurinë e tij në 28.6 miliardë dollarë. Vladimir Potanin, presidenti i Norilsk Nickel, një minierë e vërtetë pasurie me metale të rralla, zotëron 25.1 miliardë dollarë. Leonid Mikhelson, kreu i Novatek – kompania e dytë më e madhe ruse e gazit pas Gazprom – ka arritur në 25.5 miliardë dollarë, ndërsa Andrei Melnichenko, themeluesi i EuroChem, në sektorin e plehrave kimike, dhe Suek, që operon në qymyr, prodhimin e energjisë elektrike, infrastrukturë dhe porte, zotëron 20.6 miliardë dollarë. Pasuria e Gennady Timchenkos, mik i Putinit dhe pronar i Volga Group, që investon dhe zotëron aksione të mëdha në kompani të naftës dhe gazit, transportit hekurudhor, qymyrit dhe ndërtimit industrial, vlerësohet në 15.4 miliardë dollarë. Iskander Makhmudov, themelues i UMMC, kompanisë minerare dhe metalurgjike të Uraleve, zotëron rreth 8.6 miliardë dollarë. Pasuria e Mikhail Fridman, pronar i Alfa Group, kryesisht aktiv në sektorin bankar, është rritur në 10.7 miliardë dollarë, ndërsa ajo e Suleiman Kerimov, i lidhur me sektorin e arit, ka arritur në 11 miliardë dollarë. Tatiana Kim, aksionerja më e madhe e Wildberries, platforma më e madhe ruse e shitjeve online, zotëron rreth 8.3 miliardë dollarë. Kompania e saj ka pësuar dëme të mëdha gjatë sulmeve të fundit ukrainase me dronë ndaj depove në disa rajone të Rusisë. Një rënie e lehtë e pasurisë së tyre të përgjithshme gjatë katër muajve të fundit nuk e ndryshon panoramën. Të gjithë janë kthyer në Rusi dhe vazhdojnë të jetojnë mjaft mirë, ndërsa 20 shtetas rusë renditen mes 500 njerëzve më të pasur në botë. Ndryshim kursi Megjithatë, siç dihet, edhe burgjet mund të jenë prej ari. Pak ditë më parë, faqja ekonomike profinance.ru shkruante: “Gjatë vitit të fundit, disa prej qytetarëve më të pasur të Rusisë, përfshirë persona të afërt me presidentin Vladimir Putin, kanë transferuar miliarda dollarë jashtë vendit. Shkak është bërë shqetësimi i tyre për gjendjen ekonomike të vendit dhe financat e shtetit. Rastet gjithnjë e më të shpeshta të konfiskimit të pasurive kanë shtuar frikën e elitës se mund t’u sekuestrohen pronat ose të humbasin kursimet.” Disa miliarderë i kanë zhvendosur së fundmi pasuritë e tyre jashtë Rusisë për shkak të shqetësimeve lidhur me sektorin bankar. Burimet thonë se gjatë vitit të fundit disa prej njerëzve më të pasur të vendit kanë ndryshuar mënyrën se si i kanë shpërndarë investimet e tyre. Në muajt e fundit ky proces është përshpejtuar. Tani ata preferojnë të investojnë në kriptomonedha, ar, prona jashtë Rusisë dhe fonde private investimesh, veçanërisht në vendet e Gjirit Persik. Janë lëvizje të kufizuara dhe kryhen me shumë kujdes, nga frika e hakmarrjes, e cila mund të jetë drastike. Dihet se Kremlini nuk shquhet për gjysmëmasa. Ndjesinë e pasigurisë nuk e zbuti as takimi që industrialistët kryesorë rusë zhvilluan me Putinin marsin e kaluar. Gjatë tij, oligarku besnik Suleiman Kerimov propozoi një kontribut “vullnetar” – thonjëzat këtu janë të domosdoshme – për të ndihmuar ekonominë që po kalon vështirësi. Pas nisjes së luftës në shkurt 2022, e cila solli një përkeqësim drastik të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, sanksionet ndërkombëtare detyruan pothuajse të gjithë oligarkët të rikthenin pasuritë e tyre në Rusi dhe të transferonin atje selitë e kompanive. Shumë prej tyre panë t’u ngrinin pasuritë që zotëronin jashtë vendit. Edhe biznesmenët që kishin guxuar të mbanin një distancë, sado të vogël, nga pushtimi i Ukrainës, si Fridman dhe “mbreti i aluminit” Oleg Deripaska, u detyruan të bënin një kthim poshtërues, me kokën ulur. Deripaska madje u shndërrua në një skifter. Por, pasi u kthyen brenda Rusisë, të gjithë u përballën me rreziqe të reja. Pa alternativa Duke nisur nga viti 2024, autoritetet ruse filluan operacione në shkallë të gjerë për konfiskimin e pasurive, të drejtuara kundër atyre që ishin përpjekur të ruanin lidhjet me botën e jashtme, përfshirë edhe përmes shtetësisë së dyfishtë. Alternativat ishin thuajse inekzistente. Fridman, i cili kishte qenë mik dhe financues i Boris Nemtsov, kundërshtarit të Putinit të vrarë më 27 shkurt 2015, ka treguar gjatë një takimi privat për poshtërimin që kishte përjetuar kur, gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij në Londër, ishte vënë në pranga dhe ishte shtrirë përtokë përpara familjarëve dhe punonjësve të tij. Në një intervistë për Financial Times, Piotr Aven, i cili në atë kohë gjithashtu jetonte në Angli, tregoi se llogaritë bankare iu bllokuan nga njëra ditë në tjetrën, deri në atë pikë sa iu desh t’i kërkonte para një miku për të paguar mësuesit mbështetës të djalit të tij autik. Nuk mund të qëndronin më. U detyruan të largoheshin. Tani, megjithatë, diçka po ndryshon. Mes elitave evropiane po fiton terren ideja se ka ardhur koha t’u bëhet e qartë oligarkëve se mund të bëjnë edhe pa Vladimir Putinin, duke i nxitur që t’i rikthejnë kapitalet e tyre jashtë Rusisë dhe, në njëfarë mënyre, të kthehen edhe vetë. Por në Rusinë e sotme, e cila vështirë se mund të quhet një vend normal e aq më pak një demokraci, një zgjedhje e tillë do të konsiderohej dezertim. Me të gjitha pasojat që mund të sillte kjo. Të përçmuar në atdhe, ndërsa tani deri diku të dëshiruar sërish jashtë tij: oligarkët rusë mbeten, sidoqoftë, gjithmonë në mëshirën e Putinit./CorrieredellaSera U.D/ReportTv.al Tatiana Kim Iskander Makhmudov Gennady Timchenkos Leonid Mikhelson Aleksei Mordashov Oleg Deripaska oligarket vladimir putin Rusi Komento Komente Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni? Të drejtë 74.8% Të gabuar 21.1% Nuk e di 4.1% Vota total: 4411 Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni?