Historia e funeralit me “të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore”, të paralajmëruar nga ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiç, për Ratko Mladiçin, “kasapin e Ballkanit” të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë rrethimit të Sarajevës, nuk do të mbyllet shpejt. Ende nuk është e qartë se kur trupi i Mladiçit do të kthehet në Serbi nga Haga, ku ai mbahej i burgosur. Familja do të vendosë vendin e varrimit, ndërsa polemikat vazhdojnë edhe për nderimet që po i bëjnë mbështetësit e tij. Një prej episodeve përfshiu të enjten e kaluar, ditën e vdekjes së ish-gjeneralit serbo-boshnjak, klubin serb të futbollit Ylli i Kuq. Për një pjesë të shoqërisë serbe, Mladiçi mbetet hero, pavarësisht krimeve të rënda të kryera gjatë luftës. LEXO edhe...Kalendari i plotë i Champions League, faza e ligës nis më 8 shtator me Real Madrid - Inter! Man. City luan në Portugali Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual i OKB-së, gjykata që trashëgoi funksionet e tribunalëve penalë për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën, njoftoi se ende nuk mund të përcaktojë se kur trupi i Mladiçit do t’i dorëzohet Serbisë. Ai nuk mund të japë as hollësi për rrethanat e vdekjes, sepse hetimi vazhdon. Kjo është një procedurë standarde në raste të tilla. Rregullorja e paraburgimit parashikon hapjen e një hetimi për rrethanat e vdekjes së një personi që ndodhet nën kujdesin e institucionit. Të enjten e kaluar, menjëherë pas vdekjes së “Kasapit të Srebrenicës”, presidentja e Mekanizmit, Graciela Gatti Santana, nxori një urdhër me të cilin ia ngarkoi gjyqtarit Ian Bonomy hetimin e rrethanave të vdekjes së Mladiçit. Në urdhrin e publikuar në faqen e Mekanizmit thuhet se “rezultatet e këtij hetimi” do t’i raportohen presidentes Graciela Gatti Santana “sapo kjo të jetë e mundur në mënyrë të arsyeshme”. Agjencia serbe e lajmeve ka theksuar se ky formulim nuk përcakton asnjë afat për përfundimin e hetimit dhe, rrjedhimisht, as për kthimin e trupit. Vdekja e Mladiçit u përkujtua menjëherë jo vetëm nga nacionalistët serbë, por edhe nga tifozët e Yllit të Kuq të Beogradit. Gjatë ndeshjes së Europa League kundër Viktoria Plzenit, të zhvilluar të enjten, ata shpalosën pankarta me mbishkrimin: “Gjeneral, lavdi e përjetshme dhe faleminderit”, si dhe kënduan në nder të Mladiçit. Klubi serb i publikoi më pas pamjet e tifozëve në kanalet e tij zyrtare në rrjetet sociale. Memoriali i Srebrenicës, i ngritur në përkujtim të gjenocidit të vitit 1995, paraqiti një ankesë zyrtare në UEFA kundër Yllit të Kuq dhe kërkoi përjashtimin e përhershëm të klubit nga kompeticionet europiane. “Një klub që përdor me vetëdije kanalet e tij zyrtare të komunikimit për të përhapur mesazhe që glorifikojnë një person të dënuar për gjenocid, nuk mund ta reduktojë këtë sjellje thjesht në një veprim të tifozëve”, thuhet në ankesën e Memorialit. Në të përmendet gjithashtu një procedim i mëparshëm i UEFA-s kundër Yllit të Kuq për glorifikimin e Mladiçit. Sipas faqes amerikane The Athletic, UEFA ka hapur një procedim disiplinor kundër klubit serb për tri akuza: “sjellje raciste dhe/ose diskriminuese”, “përcjellje të një mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive” dhe “sjellje të pahijshme të skuadrës”/CorrieredellaSera U.D/ReportTv.al Ratko Mlladiç uefa Masakra e Srebrenicës europa league Komento Komente Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 52% Keq 35.1% Nuk e di 12.9% Vota total: 5831 Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?
