Katër punonjës të Policisë së Shtetit janë vënë nën hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në kuadër të hetimeve për ndërtimin e një objekti pesëkatësh pa leje në Himarë, i cili u shemb nga IKMT. Ndaj tyre rëndon akuza për “Shpërdorim të detyrës”, ndërsa hetuesit po verifikojnë rolin e secilit prej tyre në rastin e ndërtimit të paligjshëm. Në mesin e personave të proceduar është Emiljano Prenga, aktualisht shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Divjakë, i cili më herët ka mbajtur të njëjtin funksion në Himarë. Ai është ndaluar.
I ndaluar është edhe Klodian Petani, specialist i Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, i cili më parë ka shërbyer në të njëjtën detyrë në Himarë.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Ferit Merkaj, aktualisht shef i Seksionit të Trafiqeve në DVP Vlorë dhe ish-shef i Komisariatit të Policisë Himarë, si dhe Redin Çaushaj, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Himarë.
Sipas AMP-së, dy prej punonjësve që ishin shpallur në kërkim janë paraqitur më pas pranë autoriteteve dhe janë ndaluar. Dy të tjerët nuk janë gjetur në banesat e tyre dhe, pavarësisht njoftimit, nuk janë paraqitur pranë strukturave përkatëse. Për ta vijojnë procedurat e kërkimit.
Hetimi synon të përcaktojë nëse dhe në çfarë mase punonjësit e policisë kanë neglizhuar detyrimet ligjore lidhur me ndërtimin pa leje në Himarë.
Objekti 5-katësh ishte konstatuar si ndërtim pa leje dhe u shemb nga IKMT, ndërsa personi që konsiderohej posedues i ndërtesës u arrestua në flagrancë gjatë veprimeve të para të Policisë së Shtetit. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

