Eklipsi diellor i 12 gushtit do të jetë një spektakël i rrallë në qiell, por mjekët paralajmërojnë se shikimi i tij pa mbrojtjen e duhur mund të shkaktojë dëmtime të përkohshme ose të përhershme të shikimit. Sipas ekspertëve, syzet e zakonshme të diellit nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme. Monica Varano, drejtoreshë shkencore e Institutit IRCCS Bietti në Itali, shpjegon se gjatë eklipsit fuqia e rrezeve të Diellit nuk zvogëlohet. Ekspozimi i syve ndaj Diellit pa mbrojtje mund të shkaktojë retinopati diellore, e njohur edhe si "verbëri nga eklipsi", ose makulopati fototraumatike, një dëmtim i rëndë i retinës. LEXO edhe...90 sekonda errësirë! Eklipsi diellor i 12 gushtit, ku mund të shihet dhe si ta vëzhgoni pa rrezikuar shikimin Sipas saj, dëmtimi mund të jetë i përkohshëm ose i përhershëm dhe nuk shkakton dhimbje, ndaj simptomat mund të shfaqen vetëm disa orë ose edhe disa ditë më vonë. Ekspertët theksojnë se syzet e zakonshme të diellit, xhamat e nxirë, filmat radiografikë apo filtrat e improvizuar nuk mbrojnë sytë. E vetmja mënyrë e sigurt për të parë eklipsin është përdorimi i syzeve të certifikuara sipas standardit ISO 12312-2, të cilat duhet të vendosen përpara se të shikohet drejt Diellit dhe të mbahen gjatë gjithë kohës së vëzhgimit. Nëse pas eklipsit shfaqen shqetësime, edhe të lehta, si turbullim i shikimit apo probleme të tjera vizuale, mjekët këshillojnë konsultë të menjëhershme me një okulist. Më të rrezikuar janë fëmijët dhe adoleshentët, pasi sytë e tyre janë më të ndjeshëm ndaj dëmtimeve. Ekspertët u rekomandojnë prindërve t'i mbikëqyrin gjatë gjithë kohës dhe të sigurohen që përdorin syzet e posaçme. Rrezik më të lartë kanë edhe të moshuarit, personat me sëmundje të syve ose ata që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale okulistike. Mjekët rikujtojnë se shikimi i drejtpërdrejtë i Diellit mund të dëmtojë makulën, pjesën qendrore të retinës përgjegjëse për shikimin e qartë. Ky dëmtim mund të shkaktojë humbje të shikimit qendror dhe nuk ka trajtim specifik për rikuperimin e indit të dëmtuar të retinës. U.D/ReportTv.al eklipsi diellor Komento Komente Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve? Po 44% Jo 48.6% I/e dyzuar 7.5% Vota total: 2440 Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve?

