Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, nuk i kurseu kritikat pas fitores plot vuajtje ndaj San Marinos.
Në intervistën e dhënë për TV Klan, mbrojtësi kuqezi pranoi se vështirë të ketë përjetuar një përballje të tillë gjatë karrierës së tij. Ai nënvizoi se në fushën e lojës nuk u parë aspak diferenca e madhe e cilësisë mes të dyja përfaqësueseve.
“Shumë mësime, të them të drejtën në karrierën time vështirë të kem pasur një ndeshje të tillë ku mendon që do fitosh e në fund doli e kundërta. Sepse nuk u duk fare diferenca mes San Marinos dhe kombëtares sonë. Mësimet janë që duhet të luajmë si skuadër, individualisht nuk shkon askund, nuk mund të arrish asgjë, se kur ke sukses me ekipin, ke edhe individualisht sukses, plotësojnë njëra-tjetrën.
Në ato minuta të fundit e vetmja gjë besoj që mund të bëja duhet të ikja edhe unë përpara. Por rreziku ishte që ata të bënin kundërsulm e të na shënonin 2-1. Disa herë isha vetëm me 2-3 sulmues. Duhet të marrim shumë mësime nga kjo ndeshje. E nisëm mirë por pas 20 minutash luajtëm një ndeshje të dobët. Si kapiten është e vështirë në fushë që të japësh diçka se të gjithë deshën të bënin gol. Por edhe ajo nuk është rruga e duhur se duhet të luash bashkë dhe jo të mendosh se kush të shënojë golin e futores. Ndaj ka shumë gjëra për të përmirësuar.
Problemi te goli? Është përqendrimi në atë moment sepse humb për një sekondë përqendrimin e merr gol edhe nga San Marino. Jo vetëm nga ata por nga të gjithë duhet të përqendrohesh 100% çdo ndeshje. Besoj se si ekip kemi humbur shumë topa të dytë, mesfusha ishte bosh, topat e dytë i fitonin ata, ishin më agresiv. Më dukeshin sikur kishin më shumë kualitet se ne. Nuk kam fjalë për atë që ndodhi sot.
Gjëja më e rëndësishme është koka, gjithmonë e kam mësuar këtë nga trajnerët që kam pasur në karrierë. Nëse nuk punojnë këmbët, duhet të punojë koka. Gjithçka është në kokë. Mentaliteti është më e rëndësishmja në futboll dhe mendoj se mentaliteti e mposht gjithmonë talentin. Ajo është më e rëndësishme”, tha Gjimshiti për TV Klan pas ndeshjes. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

