Foto ilustruese Katër shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve paralajmërojnë se do të kërkojnë pezullimin dhe shfuqizimin e formulës së miratuar nga Kuvendi. Pretendojnë shkelje kushtetuese gjatë procedurës parlamentare dhe mosrespektim të vendimit të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese Konflikti për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është mbyllur me votimin në Kuvend. Vetëm një ditë pasi Parlamenti i dha dritën jeshile formulës së re të pagave, katër shoqata të magjistratëve kanë paralajmëruar një betejë të re në Gjykatën Kushtetuese, ku do të kërkojnë pezullimin dhe më pas shfuqizimin e ligjit.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë dhe Forumi i Grave Gjyqtare të Shqipërisë njoftuan se do të vijojnë procesin kushtetues për çështjen e pagave, duke kundërshtuar mënyrën se si Kuvendi ndërhyri në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
Në deklaratën e përbashkët, shoqatat pretendojnë se problemet kanë nisur që me procedurën e ndjekur për miratimin e ndryshimeve. Sipas tyre, Kuvendi e miratoi projektligjin përtej afatit kushtetues, ndërsa munguan analiza financiare dhe një proces efektiv konsultimi me grupet e interesit.
“Që në fillim, kjo procedurë është karakterizuar, në vlerësimin tonë, nga shkelje të kërkesave kushtetuese, duke nisur nga miratimi i projektligjit përtej afatit kushtetues, mungesa e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave, mungesa e konsultimit efektiv dhe dëgjimi tërësisht formal i grupeve të interesit dhe, në fund, hyrja e menjëhershme në fuqi e ligjit”, thuhet në deklaratë.
Paralajmërimi i shoqatave hap një kapitull të ri në një përplasje që vetëm një ditë më parë u zhvendos në sallën e Kuvendit. Pas më shumë se 12 orësh debatesh, mazhoranca miratoi formulën që e çon koeficientin e pagës referuese të magjistratëve nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit të Republikës. Gjykatësit e turpit
18 Shtator, 11:24 Në vlerë monetare, ndryshimi sjell një rritje prej rreth 8,500 lekësh të pagës referuese, ndjeshëm më e ulët nga formula e mbështetur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, e cila, sipas përllogaritjeve të paraqitura gjatë diskutimeve, do të sillte një rritje afërsisht 80 mijë lekë.
Por shoqatat e magjistratëve nuk kundërshtojnë vetëm masën e përcaktuar nga Kuvendi. Ato e lidhin çështjen me zbatimin e vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe paralajmërojnë se do t'i drejtohen sërish kësaj gjykate.
“Shoqatat tona mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të magjistratëve, të cilat janë cenuar haptazi nga ligji i miratuar në orët e mesnatës. Në këtë kuadër, informojmë opinionin publik se, me të njëjtën urgjencë me të cilën ky projektligj u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi”, deklarojnë shoqatat.
Kështu, një konflikt që nisi pikërisht nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese pritet të rikthehet sërish përpara saj.
Në shkurt, Kushtetuesja pranoi pjesërisht kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve dhe konstatoi problematika në ndryshimet e mëparshme të sistemit të pagave në raport me garancitë kushtetuese për trajtimin financiar të magjistratëve, duke i kërkuar Kuvendit ndërhyrje ligjore.
Mazhoranca argumentoi gjatë shqyrtimit parlamentar se vendimi i Kushtetueses nuk përcaktonte një formulë numerike të detyrueshme për pagat dhe se ishte Kuvendi ai që kishte kompetencën për të përcaktuar mekanizmin konkret.
Përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë mbajtën qëndrim të kundërt. Edhe pas votimit, shoqatat argumentojnë se ndërhyrja e Parlamentit nuk ka zgjidhur problemin kushtetues që, sipas tyre, qëndron në themel të konfliktit.
“Kjo kërkesë bëhet e domosdoshme pasi, përmes këtij ligji, cenohet jo vetëm statusi financiar i magjistratëve, i cili është i lidhur ngushtësisht me garantimin e pavarësisë së tyre, por edhe vetë themelet e shtetit të së drejtës, për shkak të mosrespektimit të hapur të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese”, argumentojnë katër shoqatat.
Një tjetër pikë e kundërshtuar është hyrja e menjëhershme në fuqi e ndryshimeve. Kjo çështje shkaktoi debat edhe gjatë seancës së 17 shtatorit, kur deputeti socialist Ulsi Manja bëri të ditur se Presidentit Bajram Begaj i ishte kërkuar pëlqimi për hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit. Drejtuesja e seancës, Evis Kushi, njoftoi më pas se pëlqimi i Presidentit kishte mbërritur në Kuvend.
Tashmë shoqatat paralajmërojnë se një prej kërkesave të para para Gjykatës Kushtetuese do të jetë pikërisht pezullimi i zbatimit të ligjit deri në shqyrtimin e themelit të çështjes.
Ato shprehen se kanë besim te procesi kushtetues dhe se presin që përmes tij të përcaktohet nëse ndërhyrja e Kuvendit është në përputhje me standardet kushtetuese.
“Shoqatat tona shprehin bindjen e plotë në integritetin e procesit kushtetues dhe besimin se Gjykata Kushtetuese do të rivendosë standardet kushtetuese të cenuara. Kemi besimin e plotë se do të jetë pikërisht procesi kushtetues ai që do të sqarojë çështjet e ngritura dhe do të hedhë poshtë përpjekjet për të diskredituar magjistratët dhe kërkesat e tyre legjitime”, thuhet në deklaratë.
Shoqatat reagojnë edhe ndaj mënyrës se si debati për pagat është zhvilluar publikisht. Sipas tyre, kundërshtimi nuk duhet parë thjesht si një përpjekje e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të siguruar paga më të larta, por si një çështje që ato e lidhin me statusin kushtetues dhe pavarësinë financiare të magjistratëve.
“Theksojmë edhe një herë se kjo çështje nuk ka të bëjë me interesa financiare, siç është tentuar, në mënyrë të shtrembëruar, t’i paraqitet opinionit publik gjatë gjithë këtij procesi. Ajo lidhet me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, garantimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë dhe mbrojtjen e themeleve të shtetit të së drejtës”, deklarojnë shoqatat.
Përplasja për pagat ka kaluar në disa nivele brenda pak ditësh. Institucionet dhe shoqatat e magjistratëve kundërshtuan formulën gjatë procesit parlamentar, opozita kërkoi tërheqjen e projektligjit dhe konsultime të tjera, ndërsa mazhoranca e miratoi atë duke argumentuar se i takon Kuvendit të përcaktojë formulën konkrete.
Paralelisht, SPAK ka nisur hetime lidhur me ngërçin e krijuar me ekzekutimin e pagave. Sipas informacioneve të raportuara një ditë më parë, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë marrë në Ministrinë e Financave dokumentacion që lidhet me procedurat e ndjekura për pagesat. Nisja e hetimeve nuk nënkupton përgjegjësi penale për personat e kallëzuar, çështje që mbetet për t'u përcaktuar nga hetimi.
Në këtë mënyrë, votimi i 17 shtatorit, që duhej t'i jepte një zgjidhje ligjore ngërçit të pagave, nuk i ka dhënë fund përplasjes institucionale.
Formula 38% e pagës së Presidentit është tashmë e miratuar nga Kuvendi, por beteja zhvendoset sërish në Gjykatën Kushtetuese. Katër shoqatat paralajmërojnë se jo vetëm do të kërkojnë shfuqizimin e ligjit, por edhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes.
“Për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe vlerave kushtetuese, shoqatat tona mbeten të palëkundura dhe do të përdorin çdo mjet ligjor që Kushtetuta dhe ligji u vënë në dispozicion”, përfn deklarata.
Nëse kërkesa depozitohet, do t'i takojë sërish Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë pretendimet e shoqatave dhe të vendosë nëse formula dhe procedura e ndjekur nga Kuvendi janë ose jo në përputhje me Kushtetutën.magjistratet paga Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Gjykata e Lartë la Veliajn në qeli, avokatët ndërkombëtarë: A ka kuptim kontrolli kushtetues në Shqipëri? 18 Shtator 2026, 14:1114:11Aktualitet Deputeti socialist humb bashkëshorten: Dashuria ime që 18 vjeç sot më la! 18 Shtator 2026, 14:1314:13Aktualitet Reforma Territoriale, Bashkia e Krujës kundërshton kalimin e Rinasit nën administrimin e Tiranës 18 Shtator 2026, 13:3613:36Aktualitet Largohet Altin Jani, emërohet drejtori i ri i Autoritetit të Informacionit të Klasifikuar! 18 Shtator 2026, 13:2613:26Aktualitet Diell dhe shi, parashikimi i motit për fundjavën; temperaturat deri në 34 gradë 18 Shtator 2026, 12:4112:41Aktualitet “Duhet të durosh që e dashura të shkojë me një tjetër”, Ngjela zbulon “kurën” që i dha një politikani për të hequr xhelozinë 18 Shtator 2026, 12:0312:03Aktualitet

