Protesta e studentëve dhe qytetarëve kundër qeverisë vijon prej orëve të para të mëngjesit, ndërsa demonstruesit këmbëngulin në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Një prej protestuesve, duke shprehur zemërimin ndaj qeverisë, deklaroi se nuk do të tërhiqen nga Bulevardi deri në largimin e kryeministrit. Ai ngriti shqetësime edhe për mungesën e shërbimeve publike, kostot e larta të jetesës dhe premtimet e pambajtura, duke përmendur mungesën e ujit të pijshëm 24 orë dhe të kopshteve në zonën ku jeton. Protestuesi kritikoi gjithashtu çmimet e larta të qirave dhe kontrastin që, sipas tij, ekziston mes vështirësive ekonomike të qytetarëve dhe mënyrës së jetesës së kryeministrit. “Nuk largohemi, të japë dorëheqjen Edi Rama. Jo gaz të na hedhë, dhe me raketa të na gjuajë, edhe Ushtrinë le të nxjerri, nuk ia falim. Nuk shkëputemi pa dhënë dorëheqjen Edi Rama. Nuk ka bërë asgjë në këto 14 vite. Premtoi ujë 24 orë nuk ka. Jetoj me një lagje ku nuk ka kopsht. Qiratë nga 700 euro, ky shkon në Amerikë dhe fle në 15 mijë nata. Besa nuk është çorape që ta lajë e ta veshë prapë…Koha e Edi Ramës ka mbaruar”, ka thënë një tjetër protestues Në përfundim, protestuesi u shpreh se kryeministri duhet të largohet nga detyra, duke e mbyllur mesazhin e tij me thirrjen: “Koha e Edi Ramës ka mbaruar!”
Protesta vijon mes kërkesave për ndryshim politik dhe pakënaqësive të shprehura nga qytetarët për kostot e jetesës, shërbimet publike dhe qeverisjen. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
