Lajme Zone
NUK KANË RËNË MJEKËT, KA RËNË SISTEMI!
PolitikëCNA
Ky artikull është pjesë e një historie me 9 burime — Krahaso mbulimin →

NUK KANË RËNË MJEKËT, KA RËNË SISTEMI!

Humbja e dy jetëve, një gruaje të re në pritje për t’u bër...

Humbja e dy jetëve, një gruaje të re në pritje për t’u bërë nënë dhe e foshnjës së palindur është një tragjedi për familjen dhe të afërmit. Por është fatkeqësisht edhe një tragjedi e paralajmëruar për sistemin shëndetësor shqiptar.

Për atë sistem që kujtohet për pacientin vetëm kur ai ose ajo vdes.

Për atë sistem që ka 13 vjet që flet vetëm për suksese dhe arritje, sepse arrin të bojatisë ca korridore spitalesh dhe të mbjellë me bar ca lulishte.

Për atë sistem që paratë e nevojshme për të blerë një helikopter urgjence ja jep Kanye Westit.

Për atë sistem që paratë me të cilat mund të ishin blerë ambulanca cilësore dhe jo rangalla të lyera me bojë të bardhë ja jep “vilmave” të koncesioneve.

Por mbi të gjitha është tragjedi e paralajmëruar për sistemin që nuk reformohet prej 13 vitesh

deri sa ka arritur pikën kur është bërë inekzistent. Vdekshmëria foshnjore dhe ajo amtare janë dy treguesit bazë të një sistemi shëndetësor dhe mënyra se si funksionon kujdesi për nënën dhe fëmijën tregon gjithçka për funksionimin e vetë sistemit.

Ky sektor ka vite që në Shqipëri sa vjen e përkeqësohet. Seçse hapen shtretër të rinj dhe bojatisen pavione të quajtur „maternitete“ por mjekë obstetër e gjinekologë në to nuk ka.

Nuk ka teknologji! Nuk ka protokolle!

Para disa vitesh në Tiranë vdiq një nënë shtatzanë sepse ambulanca bënte varavingo nga një spital tek tjetri pa mundur të përcaktonte as një sistem referimi dhe as një protokoll trajtimi.

Sot boratja e radhës që drejton shëndetësinë mund të flasë për tromboektomi, për institute tumoresh dhe për inteligjencë artificiale. Mund të marrë edhe çmime sikundër merrte çmime për ushqyerjen babai shpirtëror i boratëve, Ramiz Alia, në kohën kur shqiptarët nuk mbushnin dot barkun me bukë.

Porse sistemi që duhet të drejtojë i ka rënë! I ka rënë sepse në një vit drejtim nuk arriti të artikulonte dot asnjë strategji të mirëfilltë dhe as të hartonte një plan zhvillimor të ndonjë prej sektorëve strategjikë.

Në një vit boratja, e cila sa herë ka folur në publik, po aq gafa ka bërë, nuk ka arritur dot të hartojë as edhe një politikë e cila të quhet bashkëkohore.

Dhe meqenëse jam mare me një projekt, ku kam ngritur një sistem për investigimin digjital të vdekshmërisë amtare në Kirgiztan, vendin më të varfër të rajonit Evropian të OBSH-së, një pyetje dua t’u drejtoj sot boratëve që drejtojnë shëndetësinë.

A i investigon Shqipëria vdekjet amtare bazuar në protokollin e OBSH-së për hulumtimin konfidencial apo i lë mjekët në dorë të policisë e turmave linçuese?!

Dhe për ta mbyllur: sërish e vetmja “masë” që merr shteti i kalbur i boratëve është loja me arrestime dhe hetime mjekësh!!! Sikur këta të ishin fajtorët!

E kam përsëritur me dhjetëra herë se mjekët nuk janë fajtorë, por viktima të sistemit; të atij sistemi që ka 13 vjet që e përdor shëndetësinë si lopë për t’u mjelë nga oligarkët!

Fajtorë jeni ju, boratë!

Ju dhe bashkëhajdutët tuaj që zhvatët 500 milionë Euro nga paret e të sëmurëve për t’ua shpërndarë katër oligarkëve!

Ju mbuloftë turpi!/ CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.