Janë sekuestruar të tjera kilogramë drogë në banesën e Lulëzim Cakës në Greqi. Burime policore i thanë Top Channel se në banesën ngjitur me atë ku më 9 shtator, policia ndaloi Lulëzim Cakën, ishin fshehur edhe 26 kg të tjera kokainë.
Dyshohet se sasia ndodhej në banesë prej ngarkesës së mëparshme që organizata kishte sjellë nga Amerika Latine, brenda një ngarkese me trëndafila. Në total, në banesë dhe në magazinat e grupit u gjetën 110 kg kokainë, aq sa fillimisht policia besonte se ishte sasia e sekuestruar, raporton korrespondenti i Top Channel Artur Bibe.
Fakti që më 9 shtator u kapën 84 kg, ndërsa DEA amerikane kishte me gjasë informacion brenda organizatës në Greqi, bëri që të iniciohej edhe një tjetër operacion për gjetjen e 26 kg të tjera, për të cilat autoritetet ishin të sigurta se posedoheshin nga Caka dhe bashkëpunëtorët e tij. Top Channel

