Pas diskutimeve mbi buxhetin e BE-së, Gjermania, së bashku me pesë shtete të tjera anëtare të BE-së, po kërkon shkurtime që arrijnë në miliarda euro. Kancelari Friedrich Merz, së bashku me krerët e qeverive të pesë shteteve të tjera donatore të Bashkimi Europian, ka bërë thirrje për shkurtime drastike në buxhetin e ardhshëm të BE-së. “Propozimet aktuale nga Komisioni Evropian për një rritje deri në 60 % janë “thjesht të papërballueshme” – tha Kancelari pas një takimi në Berlin .
Sipas Merz, shuma e propozuar duhet të reduktohet “me disa qindra miliardë euro” dhe shkurtime do të ndikojnë thuajse të gjitha fushat.
As dorështrënguar, as dorëlëshuar
Në takimin konfidencial në Berlin morën pjesë kryeministrja daneze Mette Frederiksen, kryeministri finlandez Petteri Orpo dhe kancelari austriak Christian Stocker. Kryeministrat e Holandës dhe Suedisë morën pjesë nëpërmjet video-konferencës.
Këto gjashtë vende financojnë rreth 40% të buxhetit europian. Merz theksoi gjithashtu se „këto vende ofrojnë gjithashtu 70% të ndihmës dypalëshe nga vendet anëtare të BE-së për Ukrainën”. “Ne nuk jemi koprracë, por rritjet shifrave të propozuara nga Komisioni nuk përputhen me realitetin” – deklaroi Merz.
Buxheti i BE-së nuk duhet të bëjë përjashtim
Në një deklaratë të përbashkët, grupi i shteteve kontribuese të Unionit bëri thirrje për “realizëm dhe reforma” për kornizën financiare shumëvjeçare, e cili hyn në fuqi më 1 janar 2028. Siguria, sovraniteti, migrimi dhe konkurrueshmëria e Bashkimit Europian duhet të jenë në “zemër” të buxhetit.
“Në një kohë kur praktikisht të gjitha shtetet anëtare po ndërmarrin masa “të dhimbshme” buxhetore, buxheti i BE-së nuk mund të jetë përjashtim” – thuhet në deklaratë.
“Jo” borxheve dhe punësimeve të reja
Në deklaratën e tyre të përbashkët, gjashtë shtetet hodhën poshtë gjithashtu emetimin e ri të borxhit të përbashkët të BE-së. Ata argumentuan se “kjo nuk është zgjidhje për sfidat tona buxhetore dhe alternativë ndaj reformave strukturore”. Për më tepër, ata pohuan se institucionet e BE-së duhet t’i menaxhojnë detyrat e tyre me nivelet ekzistuese të personelit.
“Me një buxhet të shekullit të 20-të, ne nuk do të jemi në gjendje të përballojmë sfidat e shekullit të 21-të”, tha Merz. Qëllimi është që negociatat të përfjnë deri në fund të këtij viti, nëse është e mundur. Grupi synon të paraqesë një qëndrim të unifikuar në konsultimet e BE-së që fillojnë në tetor. /DW Top Channel

