Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë 71-vjeçari Preng Gjoka, i cili ishte plagosur rëndë në një aksident rrugor të ndodhur më 4 korrik në aksin Lezhë–Milot. I moshuari u përplas nga një automjet teksa lëvizte me biçikletë pranë kryqëzimit të Rriles.
Pas aksidentit, 71-vjeçari fillimisht u transportua në Spitalin Rajonal të Lezhës për të marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku qëndroi nën kujdes të specializuar. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Pas ngjarjes, drejtuesi i automjetit tip “Benz” me targa të Kosovës u shoqërua dhe u ndalua nga Policia. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e përgjegjësive.

