Ditën e sotme është zhvilluar një aksion i beftë në ambientet e Bashkisë së Tiranës. Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimeve (BKH), me urdhër të prokurorëve të posaçëm dhe në zbatim të një vendimi gjykate, kanë zbarkuar në godinën e këtij institucioni.
Sipas burimeve brenda strukturave të hetimit, hetuesit e BKH-së janë paraqitur në zyra të ndryshme administrative ku kanë kryer kontroll dhe kanë sekuestruar disa dosje zyrtare, dokumente dhe materiale të tjera që konsiderohen me interes për çështjet në hetim.
Deri më tani, mbetet ende e paqartë se për cilin hetim specifik bëhet fjalë. Veprimet e sotme të hetuesve mund të jenë në kuadër të çështjeve që lidhen me kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj, apo pjesë e dosjeve të tjera të shumta që SPAK ka hapur për zyrtarë dhe ish-drejtues të ndryshëm të Bashkisë së Tiranës.
Nuk ka ende një njoftim zyrtar nga SPAK për të sqaruar objektin e këtij sekuestrimi, ndërsa priten detaje të reja në orët në vijim.

