Një 30-vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia në Pukë, pasi dyshohet se ishte i armatosur dhe se kishte kultivuar 120 bimë të dyshuara narkotike. Ngjarja është konstatuar më 22 gusht, gjatë kontrolleve të territorit në fshatin Kodërbojë, ku shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë po kryenin kontrolle për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Sipas Policisë, pranë parcelës me 120 bimë të dyshuara narkotike u konstatua një person i armatosur. Në momentin që ka parë punonjësit e Policisë, ai është larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit për të ndaluar. Një prej efektivëve ka qëlluar në ajër për ta paralajmëruar, por 30-vjeçari ka mundur të largohet, duke përfituar edhe nga terreni i vështirë. Pas veprimeve hetimore, Policia ka bërë të mundur identifikimin e tij. Bëhet fjalë për shtetasin K. L., 30 vjeç, banues në fshatin Kodërbojë, i cili është shpallur në kërkim. Ai dyshohet se kishte kultivuar bimët narkotike të gjetura në parcelë dhe i ruante ato i armatosur me armë zjarri. Kontrollet vijojnë për lokalizimin dhe kapjen e 30-vjeçarit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
