Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka deklaruar se nuk do ta ndjekë transmetimin e mundshëm të ekzekutimit të Nidal Malik Hasan, ish-psikiatrit ushtarak të dënuar për masakrën në Fort Hood në vitin 2009. Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka mbështetur dënimin me vdekje me pushkatim, duke e cilësuar Hasanin si “maniak” dhe duke deklaruar se ai e meriton këtë dënim.
Debati mbi ekzekutimin e Nidal Malik Hasan ka marrë përmasa të reja në Shtetet e Bashkuara, pas deklaratave të zëvendëspresidentit JD Vance dhe presidentit Donald Trump lidhur me dënimin e ish-ushtarakut.
Vance ka shprehur dyshime nëse ekzekutimi do të transmetohet vërtet drejtpërdrejt, ndërsa ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend ta ndjekë nëse kjo ndodh.
“Nuk e di nëse kjo do të ndodhë vërtet”, u tha Vance gazetarëve të premten në Ohajo. “Nëse në fund transmetohet drejtpërdrejt, unë nuk do ta shikoj”, deklaroi zëvendëspresidenti amerikan.
Megjithatë, Vance dënoi ashpër krimin e kryer nga Hasani, duke theksuar se publiku nuk duhet të harrojë viktimat e sulmit.
“Shpresoj që njerëzit të mos harrojnë se ky është një person që ka vrarë brutalisht shumë njerëz të pafajshëm”, u shpreh ai.
Presidenti Donald Trump ka dalë hapur në mbështetje të ekzekutimit të ish-majorit të ushtrisë amerikane, duke përdorur gjuhë të ashpër për të përshkruar autorin e sulmit.
“Po i japim dënimin me vdekje një njeriu që vrau 14 ushtarë disa vite më parë. Dënim me vdekje përmes pushkatimit dhe ai e meriton. Ka vrarë dhe plagosur shumë, shumë njerëz. Është maniak”, deklaroi Trump gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë.
Trump kishte miratuar zbatimin e dënimit me vdekje të hënën, pas rekomandimit të sekretarit amerikan të Luftës, Pete Hegseth.
Megjithatë, presidenti nuk ka dhënë një qëndrim të qartë në lidhje me pjesën më të debatueshme të çështjes: transmetimin e drejtpërdrejtë të ekzekutimit.
Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, ka mbrojtur përdorimin e pushkatimit si metodë ekzekutimi, duke argumentuar se publiku duhet të kuptojë se veprime të tilla kanë pasoja serioze.
Ai e ka cilësuar këtë mënyrë ekzekutimi si një vendim të qartë, ndërsa ideja e transmetimit të tij si ngjarje publike ka shkaktuar reagime dhe kundërshtime.
Sipas raportimeve të publikuara, ekzekutimi i Hasan është planifikuar për 3 dhjetor 2026, në orën 13:00 sipas kohës lokale, në Fort Hood. Nëse kryhet, ai do të ishte ekzekutimi i parë i një pjesëtari të forcave të armatosura amerikane që nga viti 1961 dhe ekzekutimi i parë ushtarak me pushkatim që nga Lufta e Dytë Botërore.
Nidal Malik Hasan, ish-psikiatër i ushtrisë amerikane, kreu sulmin e armatosur më 5 nëntor 2009 në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas.
Ai hapi zjarr në një ndërtesë mjekësore ku ushtarët prisnin për kontrolle shëndetësore dhe procedura përpara dislokimit. Sulmi përfi me 13 persona të vrarë dhe 32 të plagosur.
Sipas hetimeve, Hasan kishte përgatitur sulmin për javë të tëra dhe kishte vizituar disa herë një poligon qitjeje në Teksas. Gjatë gjyqit, ai nuk e mohoi përgjegjësinë për veprimet e tij, ndërsa u dënua për 13 akuza për vrasje të paramenduar dhe 32 akuza për tentativë vrasjeje.
Hasan kishte pretenduar se sulmin e kreu për të kundërshtuar dërgimin e trupave amerikane në Afganistan, por gjykata ushtarake nuk e lejoi këtë argument si mbrojtje ndaj akuzave. Top Channel

