Lajme Zone
“Plas” dhe brenda PS-së/ Braçe i nxjerr "thonjtë" Ramës
PolitikëCNA

“Plas” dhe brenda PS-së/ Braçe i nxjerr "thonjtë" Ramës

Lufta brenda PS tashmë është e hapur. Deputeti i PS-së Er...

Lufta brenda PS tashmë është e hapur.

Deputeti i PS-së Erion Braçe ka reaguar publikisht në lidhje me votën e tij pro për Reformën Territoriale edhe pse gjatë gjithë kohës para se të votohej e kritikonte dhe deklaronte se nuk do ta votonte.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Braçe i është hakërryer Ramës, pas reagimit të këtij të fundit ku shkruante “Mos bëni hesape "pa hanxhinë" me PS

Sipas Braçe, Rama foli me mburrjen e tij fyese dhe të përhershme.

Braçe shkruan se nuk ia lejon Edi Ramës të flasë për votën e tij e të lëshojë flakërima ajri në mjedis kundër kujtdo që ka në mendje.

Braçe ka kërkuar që Rama të tregojë se cilat e kanë ngatërruar dhe të shohë përreth vetes së tij.

Reagimi i Braçes “Për votën

Dje i lashë të gjithë të flisnin për votën time të mëngjesit herët; foli Edi Rama me mburrjen e tij fyese dhe të përhershme, foli një i dytë që zgjohet në pikë të mëngjesit të bëjë këndezintelektualin, profesorin, mendimtarin dhe përfi të bëjë tredhësin eunuk të fjalëve që mahnisin dy vajza, foli një i tretë-palaco ky, me motrën nën akuzë si hajdute e veten në rolin e kirurgut të një shërbimi publik me halle e të vjedhur nga oligarku më i madh i sektorit që është edhe punëdhënësi i tij, foli edhe një njeri të cilin e çmoj pa masë-akademik, profesor por që nuk e kuptoj pse fyen po aq sa Edi Rama, të cilin e kritikon edhe me të drejtë çdo ditë.

Tani, kam detyrimin të flas unë, të bëj më shumë se e folura e të shpjegoj votën time.

1. E para, nuk ia lejoj Edi Ramës të flasë për votën time e me të të lëshojë flakërima ajri në mjedis kundër kujtdo që ka në mendje; nuk mund ta bëjë në emrin tim e duke përmendur votën time; unë, siç ai e pohoi në mbledhje nuk kam votuar pro tij dhe e kishte numëruar “shumë herë” këtë, ndaj ta lërë këtu, me kaq. Ajo që kërkoj prej tij dhe ai ia ka detyrim socialistëve sot, është të thotë se cilat “duar të pista, ca të dukshme e ca të padukshme, por të zbuluara tanimë”, më paskan ngatërruar mua. Derisa ta bëjë këtë, ka kohë të shohë tek vetja, po të dojë edhe rrotull tij por më shumë tek vetja dhe të pranojë, jo thjesht ta thotë për nevojë fjalie e teksti, ta pranojë se aktet, vendimet që nuk janë të duhurat dhe janë gabim, burojnë edhe nga mënyra se si ai mendon, si i imponon, si i argumenton si më e mira e mundshme kur mundësia nuk i është dhënë kërkujt, si e pranon që të tjerë përtej tij kanë të drejtë por jo tani e duke cenuar autoritetin e tij që duhet të jetë i padiskutueshëm, mu në atë formën që ta hedh fytyrës me arrogancë e të tjerëve mu si urdhër, “po si ti e paske mirë dhe i gjithë ky grup e ka gabim”, për të të relativizuar, zhvlerësuar, nëmur; ndërkohë që mund edhe të ishte, duke parë nga vetja, “pse ti e paske mirë dhe një shumicë edhe më e madhe se një grup e paska gabim”!

2. E dyta, unë nuk kam gënjyer kënd që të jem gënjeshtar, nuk i kam dhënë besë kujt që të jem i pabesë; nuk kam tradhtuar kënd nga ata 25 mijë njerëz që më kanë votuar një vit më parë e plot të tjerë që më kanë kanë votuar në 30 vite. Të isha kundër projektligjit për ndarjen administrative e territoriale ishte zgjedhja ime, ardhur nga bindja e krijuar pa asnjë kërkesë e imponim, se ai ligj nuk ishte e nuk është reformë, por një vizatim i ri i territorit administrativ, i përkohshëm, i paqëndrueshëm dhe i pamjaftueshëm si reformë, mu siç Edi Rama e pranoi vetë në mbledhjen e grupit të deputetëve socialistë. Pra ishte qëndrimi im, është qëndrimi im dhe ishte e është i pandikuar nga cilido që sot e lidh me veten kur nuk ka asnjë lidhje me të, për më tepër kur është një robot i ndyrë në rrjet dhe asfare banor i prekur.

3. E treta, të qenit deputet është punë dhe Kuvendi për mua është vendi im i punës. Edi Rama ka vizatuar listat dhe i vizatoi siç donte, në stilin e tij; punën ma kanë dhënë njerëzit me votë. 25 mijë njerëz-të parët socialistët ndër ta, të majtë dhe njerëz të zakonshëm në këtë qytet e jo vetëm, bashkë me ta, menduan që unë e bëj këtë punë dhe kanë të gjithë të drejtën të kërkojnë prej meje punën. Unë jam këtu, në Tiranë tani. Pooo kam një detyrim të pafundëm moral ndaj të gjithë atyre që ma kanë dhënë këtë punë në vite e të cilëve ju jam përgjigjur përulësisht, modestisht dhe me mirënjohje çdo ditë, atje ku ata banojnë e jetojnë, pa munguar asnjëherë, duke i mbrojtur çdo herë, duke bërë mirë e duke ndryshuar për mirë jetën për shumicën e tyre. Asnjëherë vetëm, por me ta, me shumë shokë e miq të kësaj rruge, të këtyre qeverive socialiste, të bashkive veçanërisht, për ta. E bëra edhe këtë herë, po e theksoj pa ma kërkuar kush, deri kur puna e dhënë nga të tjerë njerëz, mund të zhbëhej si e tillë nga ai rimodelimi antidemokratik që mbështetet në një model tjetër antidemokratik, “ose voto, ose je jashtë këtij grupi”, e që vijon me “ti mund të punosh me këtë qeveri në këtë grup, jo jashtë tij”. E thashë aty e do vijoj ta them se kur kam të drejtë, dhuna e disiplinës që vihet në veprim në rast nevoje, është deformimi më i madh antidemokratik që po i ndodh Partisë së Socialistëve. Të kesh të drejtë dhe këtë ta thonë në sy “po, ke të drejtë”, ndërkohë që kjo e drejtë bluhet nga disiplina e thuprës apo bariut-i vetëquajtur ky, që garanton jo të duhurën, është e papranueshme.

4. E katërta, unë votova që të mos iki, por të qëndroj, të bëj punën dhe gjithkush që e njeh këtë punë e di fort mirë se kjo punë e tillë është, e varur nga vota e shumicës, e rëndë si e tillë, kufizuese, të rrëzon, të thyhen, të bën copash aq sa nuk merr dot frymë, por unë e kam pranuar këtë punë e nuk bëj dot pas, e kam të ndaluar të bëj pas. Nuk di në keni parë tjetër që të sulmohet e të qëndrojë, të linçohet e të rrijë përballë, t’i shkojnë atje ku jeton e atje ku punon-po bën punën, dhe të dëgjojë e përgjigjet, me kosto shumë të madhe personale e familjare; keni parë? Ndaj vendosa të rri dhe të bëj punën. E di që kam prishur një plan që politika e ka të sajin, të brendshëm, të poshtër, të përhershëm, por nuk mund të bëj pa të, ndaj për Nesti numëruesin dhe numëruesit e tjerë unë jam 85-a, 84-a ishte aty për planin.

5. E pesta, unë qëndrova për REFORMËN-për të na votuan, jo për hartën; besojeni ose jo, por ajo harta bëhet e keqe pa reformën, jo thjesht si hartë; ndryshon për keq e brutalisht jetën e njerëzve në bashkitë që përthithen dhe bashkitë qendër, pa reformën, jo thjesht si hartë. Unë mendoj që REFORMA E PUSHTETIT dhe e pushtetit vendor është mundësia që është përpara-Qeveria të transferojë masivisht pushtet, kompetenca, funksione, buxhet, tatime e taksa, të ardhura, prona e mundësinë e përdorimit për qëllime ekonomike, mundësi investimi, tek pushteti vendor. Ky është pushteti i njerëzve, është ai ku ata përballen çdo ditë dhe është pushteti më legjitim-i zgjedhur, sesa pushteti që ju është dhënë drejtorëve të emëruar të qeverisë. Është pushteti që duhet të shërbejë me fuqi, kompetenca, funksione, buxhete, politika të mbështetura e financuara prej tyre realisht, ndryshe nga kompetencat formale e deri banale që me të drejtë as i ushtron kush. Të kontrollohet doemos, është detyrë kjo. A është e vështirë të bëhet? Pooo, e vështirë është. Në 4 ditë pyeta shpesh: A ËSHTË GATI QEVERIA TË LËSHOJË E TRANSFEROJË PUSHTET? Nuk mora asnjëherë përgjigje të qartë e që tregon se deri ku do të shkojë qeveria me dy parime kushtetuese të këtij pushteti, decentralizimin dhe autonominë financiare; po e rikujtoj, për këtë e jo njoftimin e hartës apo votës sime, na kanë votuar. A besoj unë tek kjo? Pooo! A besoj unë se do ndodhë kjo? Deri diku po por jo plotësisht. Edi Rama e ka të lehtë të njoftojë rrugën time ose siç thonë disa rreth tij se çfarë më pret mua. Por unë mendoj që e ka të vështirë të lëshojë pushtet. Ai është i dashuruar me pushtetin, fuqinë e autoritetin që ai jep; e ka përdorur për mirë shpesh duke bërë mirë e sjellë ndryshime të mëdha në këtë vend; e ka deleguar po për mirë, siç e ka shpërdoruar në mënyrë të përsëritur në ministra e drejtorë të padenjë; ka bërë gabime-të rënda disa, që duhet t’i pranojë nominalisht si të tijat, jo thjesht si të të gjithë atyre që nuk paskan qenë të denjë përkrah tij, në rrugën e tij. Të marrë e mbajë përgjegjësi. Të japë një shenjë që pushtetin nuk e ka personal, nuk e ushtron si të tijin, por e ndan siç kushtetuta e ka caktuar, me pushtete të tjera të ligjshme e sovrane, të pavarura e që duhet të jenë funksionale, deri në fund, të pacenuara apo përgjysmë si vullnet disiplinues i mazhorancës të zbehur në njoftime, qoftë edhe si hartë.

Unë qëndrova për këtë, për punën që jam votuar të bëj, asgjë tjetër!

E bëra edhe për disa kolegë të mirë që edhe pse të rinj në atë Kuvend, më vjen mirë që kanë aq shumë nder e dinjitet, njerëzillëk pafund, dije e dinjitet, e me të cilët ndava gjithë të enjten e mëngjesin herët të së premtes; ju jam mirënjohës!

Shpresoj shumë të keni durimin të shihni e dëgjoni, lexoni përtej 25 sekondave; ato janë të mjaftueshme për të sharë, por jo për të ditur e kuptuar.

Besoj që shpjegova e dhashë llogari për votën time. Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.