Sovrani i fundit në një fron evropian që e përjetoi Luftën e Dytë Botërore nga afër në moshën vetëm tre vjeç ka ndërruar jetë. Mbreti Harald V i Norvegjisë, 89 vjeç, në fron që prej vitit 1991, ishte monarku më jetëgjatë në detyrë në Europë pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 2022 dhe tërheqjes së Mbretëreshës Margrethe të Danimarkës, e cila abdikoi tre vjet më parë. Ai ishte vetëm një fëmijë kur u detyrua të arratisej drejt Shteteve të Bashkuara së bashku me të ëmën pas pushtimit gjerman të Norvegjisë në vitin 1940, ndërsa i ati, i cili më vonë do të mbretëronte si Olav V, iu bashkua qeverisë norvegjeze në mërgim në Londër. “Gjendja shëndetësore e Madhërisë së Tij, Mbretit, është jashtëzakonisht e rëndë”. Ky ishte njoftimi i fundit i Pallatit Mbretëror për shëndetin e Harald V të Norvegjisë, i publikuar mëngjesin e djeshëm, ndërsa familja mbretërore e Glücksburgut anuloi të gjitha angazhimet dhe u mblodh pranë shtratit të monarkut më jetëgjatë në detyrë në Europë, i cili ndodhej i shtruar që prej 17 gushtit në spitalin Rikshospitalet në Oslo. Dje ishte një ditë e gjatë pritjeje dhe ankthi pranë shtratit të Mbretit, i cili ishte në orët e fundit të jetës. Në spitalin e Oslos, gjatë gjithë ditës, pranë tij qëndroi Mbretëresha Sonja. Në mbrëmje ajo u kthye në Pallatin Mbretëror, ndërsa në spital u rikthyen trashëgimtari i fronit, tashmë Mbreti Haakon, dhe bashkëshortja e tij Mette-Marit. Gjatë natës, në orët e fundit të jetës së sovranit, pranë tij qëndroi i biri Haakon, tashmë Mbreti i ri me emrin Haakon VIII, i cili nuk u nda nga i ati deri në fund. Ndërkohë, që prej pasdites, përpara Pallatit Mbretëror shtoheshin vazhdimisht lulet dhe mesazhet. Qirinj të ndezur dhe qytetarë norvegjezë të mbledhur në lutje për Mbretin e tyre. LEXO EDHE:Eliminimi i Brazilit nga Botërori, Norvegjia feston si vikingët! Nga ushtria te marina, të gjithë realizojnë koreografinë e famshme (VIDEO) Kjo pasoi vizitat e shumta në spital gjatë ditëve të fundit nga i biri dhe regjenti Haakon, së bashku me mbretëreshën e ardhshme Mette-Marit, si edhe nga bashkëshortja e Harald, Mbretëresha Sonja, e cila vetë në fillim të verës ishte shtruar në spital për probleme me zemrën. Në Norvegji u kthye gjithashtu kryetari i Parlamentit, Masud Gharahkhani, i cili ndodhej për një vizitë zyrtare në Islandë, si edhe delegacione të Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes që ndodheshin për vizitë në Korenë e Jugut. Edhe peshkopët e Kishës Luterane, të cilët ndodheshin në Romë dhe në Vatikan, nisën kthimin drejt Oslos. Një javë më parë, Norvegjia ishte mbuluar nga një atmosferë trishtimi dhe shqetësimi për shëndetin e Mbretit, i cili po trajtohej me antibiotikë për një infeksion në gjak. Njoftimi i Pallatit Mbretëror kishte shkaktuar shqetësim të madh në Oslo dhe kishte bërë që trashëgimtari Haakon të shkonte menjëherë pranë shtratit të të atit. Pranë tij shkoi edhe motra, Märtha Louise, e cila dy vjet më parë, në muajin gusht, bëri bujë me martesën e saj me një guru të Hollywood-it dhe me vendimin për t'u larguar nga roli zyrtar në familjen mbretërore, për t'iu përkushtuar projekteve të saj personale. Ditët e fundit, Princesha Ingrid Alexandra, e lindur në vitin 2004 dhe e dyta në radhën e trashëgimisë së fronit, njoftoi se do të ndërpriste studimet e saj në Sydney të Australisë për t'u kthyer në Oslo, në atdhe. Nëse shtrimi i fundit në spital u bë i nevojshëm për shkak të një problemi në gjak, konkretisht një anemie hemolitike që kërkonte trajtim me kortizon, në pranverë, ndërsa ndodhej me pushime në Tenerife, Mbreti ishte shtruar gjithashtu në spital për shkak të një infeksioni. Pak ditë më parë, edhe Mbretëresha Sonja, e cila ishte parashikuar të merrte pjesë së bashku me trashëgimtarin dhe regjentin Haakon në ceremoninë e gardës përpara Pallatit Mbretëror, kishte anuluar pjesëmarrjen e saj. “Të abdikoj? E përsëris atë që kam thënë gjithmonë: kam bërë një betim solemn përpara Stortingut, Parlamentit njëdhomësh të Norvegjisë, dhe ky është një betim që zgjat gjithë jetën”. Kështu shprehej Mbreti Harald V i Norvegjisë në vitin 2024, ndërsa i afrohej 87-vjetorit të lindjes, pas një beteje me kancerin, disa ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër dhe problemeve me frymëmarrjen. Deklarata e tij erdhi edhe pas abdikimit të papritur të Mbretëreshës Margrethe në Danimarkën fqinje, një vendim që kishte nxitur spekulime për një efekt domino mes monarkive europiane, duke pasur parasysh edhe moshën e Mbretit të Norvegjisë. Por Harald, me shpirtin dhe temperamentin e një sportisti, që e kishte çuar gjithmonë në tribunat e Lojërave Olimpike, përfshirë edhe Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina, për të mbështetur kombëtaren norvegjeze, nuk u largua nga froni. Pas Kampionatit Botëror të Futbollit, ai kishte pritur gjithashtu në oborrin mbretëror futbollistët e kombëtares për t'i përgëzuar për rezultatin më të mirë të arritur ndonjëherë nga Norvegjia. Pavarësisht gjithçkaje, ai qëndroi me krenari në fron. Problemet e shumta shëndetësore të viteve të fundit e kishin rënduar gjithnjë e më shumë jetën e tij. Në vitin 2024, pas një shtrimi në spital gjatë një udhëtimi jashtë vendit, në Malajzi, atij iu vendos një stimulues kardiak, pacemaker. Pas kësaj, angazhimet zyrtare të Mbretit Harald u reduktuan. Në shkurtin e kaluar ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje tjetër dhe u shtrua me urgjencë në spital ndërsa ndodhej sërish jashtë vendit me pushime. Të gjitha këto vështirësi u bënë edhe më të dhimbshme nga ajo që mund të konsiderohet një “annus horribilis”, një vit i tmerrshëm për familjen mbretërore norvegjeze. Gjendja e Princeshës Mette-Marit u përkeqësua për shkak të fibrozës pulmonare, duke bërë të nevojshëm në fillim të verës një transplant të mushkërive. Paralelisht, familja mbretërore u përball edhe me çështjen gjyqësore të Marius Borg Høiby, djalit që Mette-Marit kishte përpara martesës me trashëgimtarin e fronit. Kështu shuhet Mbreti që ishte vetëm tre vjeç kur, më 9 prill 1940, trupat gjermane pushtuan Norvegjinë. Në atë kohë, në fron ndodhej Mbreti Haakon VII, të cilit nuk i mbeti zgjidhje tjetër veçse të përpiqej të shpëtonte duke u larguar nga Oslo. Ai u nis me tren, së bashku me qeverinë dhe një pjesë të madhe të anëtarëve të Stortingut, drejt Elverumit. Princesha Märtha, bashkëshortja e Princit Olav, i cili ishte i destinuar të pasonte të atin, Haakon VII, në fronin e Norvegjisë, mori me vete tre fëmijët e vegjël, mes tyre edhe trashëgimtarin e ardhshëm të fronit, Haraldin, dhe u drejtua fillimisht drejt Suedisë. Më pas, ata mbërritën në Shtetet e Bashkuara, në Washington. Në këtë mënyrë, në rast se diçka do t'i ndodhte princit të kurorës Olav dhe Mbretit, vazhdimësia e dinastisë mbretërore do të ishte e garantuar. Ndërsa familja e tij u strehua në Shtetet e Bashkuara, Mbreti i Norvegjisë dhe trashëgimtari i fronit, Olav, gjetën strehim në Londër. Nuk është rastësi që edhe sot lidhjet historike dhe familjare mes familjes mbretërore britanike Windsor dhe asaj norvegjeze Glücksburg mbeten të shumta dhe të forta./Corriere Della Sera SI.E./Shqiptarja.com TAG: Mbreti Harald V Norvegji Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
24 Gusht, 21:21
Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 52.2% Keq 35% Nuk e di 12.9% Vota total: 4157 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Gusht, 21:21 Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?
