Në Rusi po shtohet shqetësimi për një fenomen që deri pak vite më parë dukej i paimagjinueshëm. Bëhet fjalë për gratë që mediat ruse dhe zyrtarët i kanë quajtur "vejushat e zeza" – gra që akuzohen se martohen me ushtarë të saporekrutuar vetëm për të përfituar dëmshpërblimin që shteti u jep familjeve të atyre që humbin jetën në luftën në Ukrainë. Sipas një reportazhi të CNN, skema lidhet me pagesat që autoritetet ruse u japin familjarëve të ushtarëve të vrarë. Kur një ushtar humbet jetën në front, personi që njihet ligjërisht si familjari më i afërt përfiton një shumë që nis nga 5 milionë rubla, rreth 64 mijë dollarë. Kjo ndihmë financiare, e krijuar për të mbështetur familjet e ushtarëve, sipas reportazhit po kthehet në objekt mashtrimi. LEXO edhe...Zelensky publikon pamjet ku droni rus ndjek dhe godet një qytetar: Bota duhet ta shohë që Moska është çmendur (VIDEO) CNN sjell historinë e Marisë, një gruaje nga Shën Petersburgu, e cila mori dy lajme njëherësh. I ati, Yuri, 59 vjeç, ishte vrarë në luftë. Por vetëm atëherë ajo zbuloi edhe se ai ishte martuar dy ditë para se të nisej për në front. Gruaja me të cilën ishte martuar ishte 22 vite më e re dhe, si bashkëshorte, u bë automatikisht përfituesja ligjore e dëmshpërblimit. Maria thotë se nuk e kishte dëgjuar kurrë emrin e saj dhe se dyshoi menjëherë se babai ishte bërë pjesë e një mashtrimi. "Ende nuk e besoj atë që ka ndodhur. Nuk kam folur kurrë me këtë grua. Menjëherë mendova se ishte një mashtrim", rrëfen ajo për CNN. Sipas reportazhit, historia e saj nuk është një rast i izoluar. Muajt e fundit në Rusi janë bërë publike disa histori të ngjashme, ku ushtarë janë martuar pak ditë para nisjes në luftë, ndërsa në disa raste martesat janë kryer edhe në spital, kur ata ndodheshin të plagosur rëndë dhe në prag të vdekjes. Një nga rastet që bëri më shumë jehonë ishte ai i një infermiereje në një spital ushtarak. Ajo u pushua nga puna pasi u akuzua se ishte martuar me pesë ushtarë që po trajtoheshin në spital, përpara se ata të ndërronin jetë, me qëllim përfitimin e dëmshpërblimeve. Fenomeni ka shkaktuar reagime edhe në politikën ruse. Deputeti Leonid Slutsky tha se familjet e pjesëmarrësve në atë që Kremlini e quan "operacioni special ushtarak" duhet të mbrohen nga mashtruesit dhe se raste të tilla po marrin "përmasa serioze". CNN shpjegon se pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, autoritetet ruse lehtësuan procedurat për martesat e ushtarëve të saporekrutuar, duke shmangur afatet e zakonshme administrative. Në televizione shtetërore u transmetuan edhe ceremoni kolektive martesash të organizuara nga autoritetet lokale. Në reportazh përmendet edhe një episod që shkaktoi zemërim në opinionin publik. Gjatë një podcasti në qytetin Tomsk, një agjente imobiliare sugjeroi se një grua që kërkonte të blinte një apartament mund të martohej me një ushtar që nisej për në front dhe, nëse ai vritej, të përdorte dëmshpërblimin për të blerë banesën. Pas reagimeve, ajo dhe moderatorja e emisionit u dënuan me punë në komunitet dhe kërkuan falje publike. Reportazhi i CNN flet edhe për raste që kanë përfunduar në gjykatë. Në njërin prej tyre, nëna e një ushtari rus kërkoi të hiqej nga lista e përfituesve gruaja me të cilën djali ishte martuar vetëm pak ditë para se të kthehej në front. Gruaja mohoi akuzat dhe tha se martesa ishte e vërtetë, por në fund gjykata ia hoqi statusin si përfituese të dëmshpërblimit. CNN raporton gjithashtu për një hetim në rajonin Primorsky Krai, në Lindjen e Largët ruse, ku disa pjesëtarë të forcave të sigurisë dyshohet se rekrutonin burra pa familje ose jetimë, organizonin martesa për ta dhe më pas i dërgonin në pozicione me rrezik të lartë në front. Sipas akuzave, qëllimi ishte ndarja e dëmshpërblimeve në rast se ushtarët humbnin jetën. Historia e Marisë nuk përfn me humbjen e të atit. Ajo beson se ai u mashtrua edhe për apartamentin e tij, i cili tashmë është shitur. Kur CNN shkoi në banesën ku ai kishte jetuar, dera u hap nga pronarët e rinj. Ata thanë se e kishin blerë apartamentin në mënyrë të ligjshme dhe se nuk e kishin takuar kurrë shitësin. Për Marian, megjithatë, kishte mbetur vetëm një kujtim. "Nuk më ka mbetur asgjë nga babai. Vetëm çelësat e apartamentit të tij, por ata nuk hapin më asnjë derë", thotë ajo. U.D/ReportTv.al Rusi rusia sulmon ukrainen lufta ne ukraine Komento Komente Sondazhi i ditës: GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord? Po 35.1% Jo 59.1% Nuk e di 5.8% Vota total: 445 Sondazhi i ditës: GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord?

