Në orën 05:15 të 18 gushtit 2026, në ambientet e beach-barit “Principote” në Ksamil nis një konflikt mes disa personave, i cili më pas zhvendoset në plazhin e beach-barit “Paradise”. Sipas Policisë, përplasja dyshohet se kishte nisur pas ngacmimit të një vajze. Gjatë konfliktit, 20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes goditet fillimisht me grushte nga kamarierët Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Murat Zhabina dhe Ildi Cekani.
Sipas hetimeve paraprake, 29-vjeçari Sokrat Lipan alias Sokrat Vata dyshohet se e ka goditur disa herë me thikë turistin portugez, ndërsa David Heurtevent, 29 vjeç, dyshohet se e ka goditur me grushte në të njëjtin moment. Policia i konsideron Vatën dhe Heurteventin të dyshuar për “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim”. Pas ngjarjes, kamarierët dyshohet se janë larguar nga vendi.
Pas krimit, Sokrat Vata largohet nga vendi dhe fshihet në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga 31-vjeçarja turke Ezgi Perlak, ndërsa në automjet ndodhej edhe 38-vjeçari turk Nuh Mahmutoglu. Të dy deklaruan në Polici se kishin marrëdhënie shoqërore me Vatën dhe se ai u kishte ofruar shërbime sigurie si bodyguard dhe shoqërues personal. Automjeti ndalohet në Levan të Fierit, ku Vata kapet në bagazh dhe arrestohet.
Në vijim të hetimeve, Policia shoqëroi gjithsej 41 persona në Komisariatin e Sarandës dhe arrestoi 11 prej tyre: Sokrat Vata, Nuh Mahmutoglu, Ezgi Perlak, Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani, Murat Zhabina, Miosid Matushaj, Luciano Seferi, Romeo Shehu dhe Kristi Koshi. Në kërkim u shpallën David Heurtevent dhe Bekim Bulica, pronari i lokalit sipas të dhënave të Policisë, i cili ndodhej në “Principote” në momentin e ngjarjes dhe më pas u largua pa njoftuar autoritetet. Katër personat që punonin si bodyguardë në lokal – Miosid Matushaj, Luciano Seferi, Romeo Shehu dhe Kristi Koshi – akuzohen se nuk ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe nuk njoftuan Policinë pas ngjarjes. Materialet janë referuar në Prokurorinë e Sarandës për veprimet penale përkatëse. Të gjithë personat e përfshirë prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

