Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një prej pikave kyçe të luftës mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa të dhënat e fundit tregojnë se Teherani po humbet një pjesë të kontrollit mbi këtë korridor jetik për transportin botëror të naftës. Sipas të dhënave të kompanisë së monitorimit të trafikut detar Kpler, më shumë se 80% e anijeve që kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit gjatë dy javëve të fundit kanë përdorur rrugën detare pranë Omanit. Kjo është një kanal i autorizuar nga OKB-ja, por që kundërshtohet fuqishëm nga Irani.
Teherani e konsideron ngushticën nën kontrollin e tij dhe ka sulmuar dhjetëra anije që kanë tentuar të kalojnë përmes kësaj rruge. Megjithatë, pavarësisht rrezikut, pjesa më e madhe e anijeve po injorojnë kërkesat e Iranit dhe po vijojnë lundrimin, duke u mbështetur te mbrojtja e forcave detare amerikane.
“Gjithnjë e më shumë duket se Irani ka humbur të paktën pjesërisht kontrollin e ngushticës”, tha Homayoun Falakshahi, drejtues i analizës së naftës bruto në Kpler.
Ndryshim i madh – Situata është dukshëm ndryshe nga ajo e një muaji më parë, kur pothuajse nuk kishte trafik detar përmes rrugës së Omanit.
Zhvendosja e trafikut larg rrugës së preferuar nga Irani ka kufizuar gjithashtu mundësinë e Teheranit për të vendosur tarifa mbi anijet që kalojnë nëpër ngushticë, siç kishte bërë gjatë pranverës.
Sipas ekspertëve, edhe pse skadimi këtë javë i Memorandumit të Mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit teorikisht i hap rrugë Teheranit për të vendosur sërish tarifa, nuk ka shenja se Irani po arrin t’i mbledhë ato në praktikë.
Taktikat – Kuvajti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë marrë me qira disa prej supercisternave më të mëdha në botë për të transportuar naftë nga Gjiri Persik përmes Ngushticës së Hormuzit.
Sipas ekspertëve, këto anije më pas e transferojnë ngarkesën te cisterna të tjera jashtë zonës së rrezikut, në Gjirin e Omanit.
Për t’iu shmangur sulmeve iraniane, disa prej tyre çaktivizojnë transponderët dhe zhduken nga sistemet tradicionale të gjurmimit për javë të tëra. Kjo lloj lëvizjeje njihet si “trafik i errët” dhe mund të mos kapet plotësisht nga disa sisteme monitorimi.
Megjithatë, SHBA-ja, e cila ka një prani të konsiderueshme ushtarake në zonë, pretendon se ka një pamje shumë më të plotë të lëvizjes së anijeve në ngushticë.
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Ëright, tha javën e kaluar se transporti i naftës përmes ngushticës dhe sasitë e ridrejtuara rreth saj arrinin në rreth 15 milionë fuçi naftë në ditë gjatë një jave.
Kjo shifër i afrohet nivelit mesatar prej rreth 20 milionë fuçish në ditë që transportoheshin përmes kësaj zone përpara luftës.
“Kemi kontroll total” – Të dhënat kanë nxitur presidentin amerikan Donald Trump të deklarojë se SHBA-ja ka “kontroll total” mbi Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, pretendimi është vënë në pikëpyetje nga ekspertët, pasi Irani vazhdon të kryejë sulme dhe flukset e naftës mbeten ende ndjeshëm më të ulëta se nivelet para luftës.
Kjo sugjeron se SHBA-ja nuk ka kontroll të plotë mbi ngushticën, por as Irani nuk duket se e kontrollon më atë në të njëjtën masë si më parë.
“Duket se Irani e ka humbur pjesërisht kontrollin e ngushticës”, tha Andy Lipoë, president i Lipoë Oil Associates.
Ekspertët vlerësojnë se objektivi kryesor i Iranit mund të jetë më shumë frenimi dhe kërcënimi i trafikut detar sesa kontrolli absolut i ngushticës. Top Channel

