Lajme Zone
Një turist vjen në Shqipëri për pushime dhe përfundon i vrarë: sa kushton pasiguria për imazhin e turizmit?
PolitikëPolitiko
Ky artikull është pjesë e një historie me 9 burime — Krahaso mbulimin →

Një turist vjen në Shqipëri për pushime dhe përfundon i vrarë: sa kushton pasiguria për imazhin e turizmit?

Në një kohë kur Shqipëria pret miliona vizitorë të huaj, një vrasje në një resort në Ksamil ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si garantohet siguria e turistëve.

Në foto: Vendi i ngjarjes dhe autori i dyshuar Sokrat Vata Çfarë ndodhi?

Luis Miguel Varela Mendes, një 20-vjeçar portugez, kishte ardhur në Shqipëri për pushime. Nata e tij në “Principote” në Ksamil, ku kishte shkuar për të ndjekur një event me muzikë franceze, përfi tragjikisht pas një konflikti që u përshkallëzua dhe rezultoi fatal për të riun.

20-vjeçari u vra barbarisht duke u goditur disa herë me thikë nga Sokrat Vata, pjesë e stafit të sigurisë në lokalin ku ndodhi vrasja. Ngjarja vjen në një kohë kur qeveria përpiqet të krijojë një imazh të kuruar turistik për vendin, duke e cilësuar si një “destinacion turistik ndërkombëtar”.

Turizëm në rritje, por sa e sigurt është Shqipëria?

Në gjashtë muajt e parë të vitit, rreth 5 milionë shtetas të huaj hynë në Shqipëri, 6.2% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm në qershor u regjistruan rreth 1.35 milionë hyrje të shtetasve të huaj.

Shifrat tregojnë rritjen e vazhdueshme të interesit për Shqipërinë si destinacion turistik. Por bashkë me numrin e vizitorëve rritet edhe përgjegjësia për të garantuar sigurinë e tyre.

Vrasja e 20-vjeçarit portugez nuk është më vetëm një ngjarje e kronikës shqiptare. Ajo ka kaluar kufijtë dhe është raportuar nga media të huaja, veçanërisht në Portugali dhe në vendet e rajonit.

Për një vend që e ndërton gjithnjë e më shumë imazhin e tij mbi turizmin, një ngjarje e tillë ngre pyetje: sa siguri ofron Shqipëria turistike për të huajt që zgjedhin ta vizitojnë?

Një ngjarje që mund të parandalohej?

Sipas raportimeve dhe dëshmive, sherri ka nisur në ambientet e klubit të natës të lokalit “Principote” dhe arsyeja dyshohet të ketë qenë një vajzë. Detaje të reja nuk dihen ende, por raportohet se më pas konflikti është zhvendosur në zonën e plazhit aty ku ndodhi vrasja.

Sipas hetimeve, 29-vjeçari Sokrat Vata, dyshohet se ka goditur disa herë me thikë turistin portugez në trup. Po në të njëjtën kohë, shtetasi David Heurtevent, i cili është shpallur në kërkim, dyshohet se e ka goditur me grushte 20-vjeçarin.

Në sherr janë përfshirë edhe 4 kamerierët e lokalit, Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Murat Zhabina dhe Ildi Cekani, të cilët dyshohet se e goditën turistin para se të vritej me thikë. Pas ngjarjes, të gjithë janë larguar nga vendi i krimit, përfshirë edhe autorin, i cili u kap i fshehur në bagazhin e një automjeti në Levan.

Një roje sigurie me precedent penal

Sokrat Vata nuk ishte një emër i panjohur për mediat dhe as për policinë. Ai është dënuar me 5 vite burg nga Gjykata e Kurorës së Kembrixhit, pasi u deklarua fajtor për dy akuza për drejtim të rrezikshëm të mjetit. Në vitin 2024, Vata përmbysi automjetin me të cilin udhëtonte teksa ndiqej nga policia britanike. Brenda makinës u gjet një sasi kanabisi, ndërsa Vata arriti të arratisej. Edhe në një episod tjetër, 29-vjeçari nuk iu bind policisë britanike. Gjatë kontrollin në ambientin ku u gjet i fshehur, Vatës iu zbuluan disa qese me kokainë.

Punësimi i një roje sigurie me precedentë të mëparshëm penal është një kambanë alarmi, që autoritetet duhet ta marrin seriozisht. Sherri i nisur mund të ishte parandaluar për të mos agravuar deri në përdorimin e thikës, e aq më tepër, vrasjen e një turisti.

Ngjarja bëhet edhe më e rëndë pasi Miosid Matushaj, punonjës i Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, dhe Romeo Shehu, pjesë e Policisë Bashkiake Gjirokastër, edhe pse ishin të pranishëm në klubin e natës si roje të sigurisë private, nuk ndërhynë për të ndaluar përshkallëzimin e konfliktit. Madje, të dy efektivët e policisë tashmë të pezulluar nuk njoftuan në kohë Policinë e Shtetit për ngjarjen e ndodhur.

Por pyetja është: Si kontrollohen personat që punësohen për të garantuar sigurinë e turistëve në Shqipëri? Si është e mundur që një konflikt brenda një resorti të frekuentuar nga turistë të përshkallëzohet deri në vrasje, pavarësisht pranisë së personave që ishin aty për të garantuar sigurinë?

A është Shqipëria e pasigurt?

Një rast i vetëm nuk mjafton për të shpallur Shqipërinë një destinacion të pasigurt. Por për një vend që po pret miliona vizitorë dhe që po investon në imazhin e tij si destinacion ndërkombëtar, siguria nuk mund të jetë një element dytësor.

Çështja e Ksamilit shkon përtej autorit të dyshuar dhe viktimës. Ajo ngre pyetje mbi mënyrën se si kontrollohen kompanitë e sigurisë private, kush lejohet të punojë në to, si kontrollohen precedentët e punonjësve dhe, mbi të gjitha, çfarë ndodh kur personat që duhet të garantojnë sigurinë nuk arrijnë ta ndalojnë një konflikt përpara se ai të kthehet në tragjedi.

Shqipëria mund të sjellë miliona turistë. Sfida tjetër është t'i bëjë ata të ndihen të sigurt./ Politiko.al Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm