Lajme Zone
Një tjetër lëvizje e qeverisë Trump, SHBA planifikon mbylljen e pesë konsullatave diplomatike, mes tyre Kanadaja
BotëTop Channel

Një tjetër lëvizje e qeverisë Trump, SHBA planifikon mbylljen e pesë konsullatave diplomatike, mes tyre Kanadaja

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar Kongresin për planin e mbylljes së pesë konsullatave diplomatike në Kanada, Grenadë, Japoni, Indonezi dhe Kamerun, në kuadër të një programi për uljen e kostove dhe ristrukturimin e pranisë diplomatike amerikane jashtë vendit.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar Kongresin për planin e mbylljes së pesë konsullatave diplomatike në Kanada, Grenadë, Japoni, Indonezi dhe Kamerun, në kuadër të një programi për uljen e kostove dhe ristrukturimin e pranisë diplomatike amerikane jashtë vendit. Sipas njoftimit, do të mbyllen misionet në St. George’s (Grenadë), Nagoya (Japoni), Medan (Indonezi), Douala (Kamerun) dhe Winnipeg (Kanada).

Vendimi vjen si pjesë e reformave të ndërmarra nga Departamenti i Shtetit nën drejtimin e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025.

Masa ka ngjallur kritika nga demokratët, të cilët paralajmërojnë se tërheqja e SHBA-së nga këto vende mund të krijojë hapësirë për zgjerimin e ndikimit diplomatik të Kinës.

Senatorja Jeanne Shaheen deklaroi se Pekini tashmë ka prani diplomatike në disa prej vendeve ku SHBA po mbyll misionet dhe se boshllëku mund të shfrytëzohet për të minuar interesat amerikane.

Vendimi është kundërshtuar edhe në Kanada, ku mbyllja e konsullatës në Winnipeg konsiderohet si një goditje për bashkëpunimin ekonomik dhe diplomatik mes dy vendeve.

Ish-zyrtari i konsullatës, Brad Kirbyson, tha se mungesa e një pranie diplomatike në qendër të Kanadasë do ta bëjë më të vështirë ruajtjen e marrëdhënieve me rajonin.

Departamenti Amerikan i Shtetit mbrojti vendimin, duke deklaruar se synon të krijojë një rrjet diplomatik më efikas dhe më funksional, duke respektuar procedurat ligjore të njoftimit të Kongresit.

Mbylljet janë pjesë e një procesi më të gjerë reduktimi të operacioneve diplomatike amerikane. Gjatë vitit të kaluar, Departamenti i Shtetit shkurtoi më shumë se 1,300 vende pune, ndërsa mbi gjysma e posteve të ambasadorëve amerikanë në botë mbeten ende të paplotësuara, përfshirë në vende strategjike si Gjermania, Egjipti, Arabia Saudite dhe Pakistani. Top Channel