Shefi i Reanimacionit në Spitalin Rajonal të Vlorës, Edmond Breshanaj, ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar nga zjarri i rëndë që përfshiu hotel “Brooklyn” në zonën e Lungomares gjatë orëve të para të mëngjesit. Mjeku shpjegoi se stafi spitalor u vendos në gatishmëri të plotë rreth orës 04:30 të mëngjesit, kur në urgjencë mbërritën gjashtë pacientë të moshave të reja (25-30 vjeç), me origjinë nga Prishtina, Lipjani dhe Rrësheni: “Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës.” Sipas Breshanajt, gjendja e një prej pacienteve paraqitet mjaft kritike për jetën për shkak të shkallës ekstreme të djegieve: “Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një tjetër 50%. Dy prej tyre i nisëm në Qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie, ndërsa tre të tjerë u dërguan në repartin e djegieve plastike në Tiranë.” Ngjarja e rëndë ndodhi në një godinë ku në katin e parë funksiononte një lokal, ndërsa kati i dytë shërbente si hotel. Për shkak të përhapjes me shpejtësi të flakëve dhe tymit të dendur që bllokoi rrugëdaljet, disa prej pushuesve u detyruan të kërcejnë nga dritaret e dhomave për t’i shpëtuar zjarrit. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

