Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi në një intervistë në “Prime News24” ka dhënë një deklaratë të fortë duke thënë se SHISH gjatë kohëve të fundit kishte blerë pajisje përgjimi shumë të avancuar për përgjime ambientale, të gjitha këto në kohë që drejtohej nga Vlora Hyseni. “Sa kohë SHISH ishte vënë në shërbim të krimit nuk përjashtoj asnjë veprim anti-ligjor të ndodhur në atë institucion. Sa herë bëj një denoncim të fortë forcat operacionale të policisë më vëzhgojnë për 1 muaj ose 1 muaj e gjysme ku hyj ku dal. Të mbledhin informacione. Nuk më shqetësojnë të them të drejtën”, tha ai. Bardhi foli edhe në lidhje me faktin që sipas tij SHISH ka blerë një pajisje shumë të avancuar për përgjim ambiental, pajisje që tashmë është në dorën e një prej grupeve më të rrezikshme kriminale sipas tij. “Ka informacione që janë përgjuar gazetarë seli diplomatike në Shqipëri. SHISH kishte blerë një pajisje shumë të avancuar për përgjimet ambientale por kjo mbetet për tu verifikuar. Thuhet se ajo pajisje nuk është më në SHISH por ndodhet pranë një prej grupeve më të rrezikshme”, tha ai. Bardhi shtoi se ka informacione se Vlora Hyseni ka kërkuar nga SPAK të informohej paraprakisht ku të “goditeshin” figura të politikës apo grupe kriminale në vend. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
