Lajme Zone
Një memorandum qeveritar dhe disa pikëpyetje ekonomike
PolitikëPamfleti

Një memorandum qeveritar dhe disa pikëpyetje ekonomike

Projekti paraqitet si një qendër rajonale furnizimi me gaz, kryesisht për Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore, jo vetëm për nevojat e tregut të brendshëm shqiptar. Në parim, çdo nismë që synon diversifikimin e burimeve energjetike, forcimin e lidhjeve infrastrukturore dhe rritjen e rolit të Shqipërisë në tregun rajonal të energjisë meriton të shqyrtohet seriozisht.

Argent LNG-Zef Preçi Mungesa e transparencës nga qeveria dhe kryeministri Rama mund të krijojë pasiguri publike dhe ekonomike, duke rrezikuar besueshmërinë e projektit dhe perceptimin e tij si një nismë zhvillimore. Sipas njoftimeve mediatike të ditëve të fundit, Shqipëria dhe kompania amerikane Argent LNG kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi jodetyrues për të vlerësuar mundësinë e ndërtimit të një terminali të madh tokësor për magazinimin dhe rigazifikimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në bregdetin shqiptar.

Projekti paraqitet si një qendër rajonale furnizimi me gaz, kryesisht për Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore, jo vetëm për nevojat e tregut të brendshëm shqiptar. Në parim, çdo nismë që synon diversifikimin e burimeve energjetike, forcimin e lidhjeve infrastrukturore dhe rritjen e rolit të Shqipërisë në tregun rajonal të energjisë meriton të shqyrtohet seriozisht.

Megjithatë, ajo që mbetet ende e paqartë janë përfitimet konkrete për ekonominë shqiptare, ndikimet e mundshme mjedisore dhe pasojat që një projekt i tillë mund të ketë mbi zhvillimin e turizmit, veçanërisht në bregdetin e Vlorës, i cili përflitet si një nga zonat e mundshme për realizimin e tij. Po aq e rëndësishme është të sqarohet se si kjo nismë, me origjinë jashtë hapësirës europiane, përputhet me objektivat e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe me politikat europiane për tranzicionin energjetik e klimatik.

Mungesa e transparencës nga ana e qeverisë dhe e kryeministrit Rama mund të krijojë pasiguri publike dhe ekonomike. Nëse këto paqartësi nuk adresohen në kohë, ato mund të rrezikojnë jo vetëm besueshmërinë e projektit, por edhe ta shndërrojnë atë në një nismë të perceptuar si instrument lobimi për interesa politike afatshkurtra, në vend që të jetë një mjet për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Çfarë parashikon memorandumi?

Qeveria e Shqipërisë dhe Argent LNG janë palët që kanë nënshkruar memorandumin. Dokumenti është jodetyrues dhe shërben për një vlerësim të përbashkët të projektit; ai nuk nënkupton ndërtim të sigurt të terminalit, blerje të garantuara gazi apo kontrata të detyrueshme furnizimi.

Terminali i propozuar do të ishte një impiant tokësor për pranimin e LNG-së, magazinimin e tij dhe rigazifikimin, pra kthimin e gazit nga gjendja e lëngshme në gjendje të gaztë. LNG-ja do të mbërrinte me anije, do të ruhej në terminal, do të rigazifikohej dhe më pas do të shpërndahej drejt tregjeve rajonale nëpërmjet rrjetit të gazsjellësve.

Kapaciteti i parashikuar mund të arrijë deri në rreth 5 milionë tonë LNG në vit, krahas kapaciteteve të konsiderueshme të magazinimit. Terminali pritet të vendoset në bregdetin shqiptar, por vendndodhja e saktë nuk është bërë ende publike.

Nuk ekziston ende një kalendar i konfirmuar për fillimin e punimeve ose për përfundimin e projektit. Sipas planeve paraprake, zhvillimi i terminalit mund të lidhet me objektivin e Argent LNG për të nisur dërgesat e para të LNG-së nga Port Fourchon, në Luiziana, rreth vitit 2030.

Për financimin dhe zhvillimin e projektit mund të shqyrtohet përfshirja e disa institucioneve amerikane, përfshirë Agjencinë Amerikane për Tregti dhe Zhvillim (USTDA), Korporatën Amerikane për Financimin e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) dhe Bankën Amerikane të Eksport-Importit (EXIM Bank).

Pse ka rëndësi Shqipëria?

Logjika strategjike e projektit lidhet me pozicionin e Shqipërisë dhe me mundësitë e lidhjes së saj me disa korridore të rëndësishme gazi. Bëhet fjalë, së pari, për Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), i cili transporton gaz nga rajoni i Kaspikut përmes Greqisë dhe Shqipërisë drejt Italisë. Së dyti, për Gazsjellësin e planifikuar Joniano-Adriatik (IAP), i cili synon të zgjerojë lidhjet e gazit drejt veriut të Ballkanit Perëndimor. Së treti, për korridorin Fier–Vlorë, si një element potencial i infrastrukturës së brendshme të gazit.

Nëse projekti rezulton i realizueshëm teknikisht dhe ekonomikisht, ai mund të krijojë një rrugë shtesë importi për LNG me origjinë nga Shtetet e Bashkuara dhe të ndihmojë në diversifikimin e furnizimeve rajonale me gaz. Ky është një objektiv me rëndësi për sigurinë energjetike të rajonit, sidomos në kushtet e pasigurisë së vazhdueshme në tregjet europiane të energjisë.

Argent LNG ka deklaruar se marrëveshjet rajonale për rrjedhën e kundërt të gazit dhe për shkëmbimet e gazit mund të krijojnë mundësi edhe për mbështetjen e Ukrainës. Megjithatë, kjo mbetet një perspektivë afatgjatë, e kushtëzuar nga zhvillimi i infrastrukturës, marrëveshjet tregtare, kërkesa rajonale dhe qëndrueshmëria financiare e projektit.

Pyetjet që kërkojnë përgjigje

Njoftimi aktual ndodhet në një fazë fillestare. Memorandumi nuk përcakton vendndodhjen përfundimtare të terminalit apo portin ku ai do të ndërtohet. Nuk është bërë publike as kostoja e investimit, as afati i nisjes së punimeve dhe as data e pritshme e përfundimit të projektit.

Po kështu, ende nuk dihet nëse ekzistojnë vëllime të siguruara furnizimi, kontrata afatgjata për blerjen e gazit, financim i garantuar apo marrëveshje teknike përfundimtare për lidhjen me TAP-in, IAP-in ose gazsjellës të tjerë. Para se të flitet për një projekt të realizueshëm, duhet të vlerësohen me seriozitet fizibiliteti teknik, qëndrueshmëria financiare, tregu i mundshëm rajonal dhe ndikimet mjedisore.

Në mënyrë të veçantë, publiku ka të drejtë të dijë:

- Cila është vendndodhja e propozuar dhe cilat janë alternativat e shqyrtuara?

- Sa do të jetë kostoja e plotë e projektit dhe mbi çfarë baze do të financohet?

- A do të përfitojë buxheti i shtetit apo komunitetet vendore nga ky investim dhe në çfarë mase?

- Cilat janë efektet e pritshme mbi turizmin, peshkimin, mjedisin detar dhe aktivitetet ekonomike në zonën bregdetare?

- A përputhet projekti me angazhimet e Shqipërisë për energjinë e pastër, klimën dhe integrimin në Bashkimin Europian?

- A ekziston një analizë kosto–përfitim e pavarur, e cila të bëhet publike për qytetarët dhe ekspertët?

Përfitimi publik duhet provuar

Për Shqipërinë, projekti mund të sjellë investime në infrastrukturë, zhvillim të aktivitetit portual dhe të rrjetit të gazsjellësve, si dhe forcim të rolit të vendit në tranzitin rajonal të energjisë. Ai mund të rrisë gjithashtu rëndësinë gjeopolitike të Shqipërisë në diskutimet europiane për sigurinë energjetike.

Por përfitimi publik nuk duhet të merret si i mirëqenë. Ai duhet të provohet përmes studimeve të pavarura, transparencës së plotë mbi marrëveshjet, konsultimit real me komunitetet e prekura dhe respektimit rigoroz të standardeve mjedisore e konkurruese.

Një terminal me kapacitet deri në 5 milionë tonë LNG në vit është i madh në krahasim me kërkesën e brendshme shqiptare. Kjo do të thotë se qëndrueshmëria ekonomike e tij do të varet kryesisht nga aftësia për të siguruar blerës afatgjatë në tregjet e Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore, si edhe nga lidhjet funksionale e me kosto konkurruese me rrjetet ndërkufitare të gazit.

Në fund, Shqipëria nuk ka nevojë për projekte që promovohen vetëm për shkak të madhësisë, origjinës së investitorit apo përdorimit politik të tyre. Vendi ka nevojë për investime që i shërbejnë interesit publik, krijojnë vlerë të qëndrueshme për ekonominë kombëtare, respektojnë mjedisin dhe forcojnë lidhjen e Shqipërisë me standardet europiane të zhvillimit.zef preçi ekonomi kompania amerikane argent lng memorandum rama furnizimi me gaz ballkani perëndimor evropa juglindore Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Demokracia jonë pa hardware dhe software?! 12 Shtator 2026, 11:3611:36Forum Nga Luca te “Cereni”, Republika e 1 euroshit ku Rama zgjedh kush bëhet biznesmen 11 Shtator 2026, 22:4222:42Forum PISA, hakmarrja europiane për mësueso-fobët shqiptarë 11 Shtator 2026, 18:0818:08Forum Lea Ypi: Çfarë nuk mësuam nga shekulli XX po na rikthehet sot! 11 Shtator 2026, 16:4116:41Forum Kush po i censuron zërat kritikë në Shqipëri? 11 Shtator 2026, 16:1316:13Forum Padia e gjyqtarëve për pagat, metafora e reformës së deformuar 10 Shtator 2026, 20:0520:05Forum