Kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho, ka folur rreth hetimeve që lidhen me çështjen e Belinda Ballukut, duke theksuar se procedimi është ende nën hetim dhe se për këtë arsye nuk mund të bëhen publike të dhëna të tjera. Siç raporton Anila Hoxha, ai bëri të ditur se me dosjen po merren një grup prej nëntë oficerësh dhe dy prokurorësh, ndërsa nuk përjashtoi zhvillime të reja në varësi të ecurisë së hetimeve.
“Kjo është një çështje nën hetim dhe nuk mund t’ju jap detaje. Është një çështje prioritare, një grup prej nëntë oficerësh dhe dy prokurorësh po merren me hetimet, për shkak të cilësisë së subjektit dhe volumit të punës. Edhe hetimet kanë afatet e veta. Për vijimin e hetimeve nuk mund të them më tepër. Sigurisht, do të vijë një moment që, kur të përfjnë hetimet, do të kemi komunikim.
SPAK-u është i qartë se çfarë qëndrimi ka mbajtur, është publike çfarë dhe pse e kërkoi. Kuvendi mori një vendim dhe ne mund të mos jemi dakord, por vendimet janë detyruese. Hetimet kanë vazhduar, kanë ecur dhe më tej. Unë nuk mund të them nëse do të bëhet apo jo një kërkesë e re, është vendim i grupit të punës. Vendimi kushtëzohet nga hetimet dhe nga vendimi i Kuvendit dhe, nëse do të ketë apo jo një kërkesë të re, do të jenë rrethanat e reja që tejkalojnë vendimin e Kuvendit, i cili ka dhënë një vendim”, u shpreh Braho. Top Channel

