Në ditën e saj të 87-të radhazi, protesta kundër kryeministrit Edi Rama ka vijuar me fjalimet e aktivistëve dhe qytetarëve të grumbulluar përpara godinës së Kryeministrisë. Gjatë fjalës së tij, aktivisti Arben Kola vlerësoi qëndresën e protestuesve dhe në mënyrë të veçantë rolin dhe mbështetjen e mërgatës shqiptare në këtë lëvizje. Kola theksoi se kjo protestë përfaqëson një zgjim të ndërgjegjes shoqërore dhe se mbështetja e diasporës është vendimtare në këtë qëndresë. “Këto janë 87 netë vetëdije qytetare, 87 netë vetëdije kombëtare. Nuk do të ishte e mundur kjo protestë aq e bukur pa pjesëmarrjen e mërgatës sonë, e cila ka vendosur të protestojë deri në rrëzimin e Ramës. Diaspora është me ne,” deklaroi ai. Sipas aktivistit, bashkëatdhetarët që jetojnë jashtë vendit kanë treguar një angazhim edhe më të madh falë mundësive të komunikimit sot, duke u bërë pjesë e përditshme e protestës. “Historikisht diaspora ka luajtur rol të rëndësishëm, por në epokën digjitale ka qenë më shumë se kurrë! Për të rrëzuar Edi Ramën, diaspora nga të gjitha vendet është e pranishme me ne çdo natë në shesh. Siç na e la amanet Skënderbeu, bashkimi bën fuqinë,” përfi Arben Kola. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
