Presidentja e Universitetit “Luarasi”, Fabiola Hysenbelliu, ka mbajtur fjalën e saj me rastin e nisjes së vitit të ri akademik, duke iu drejtuar studentëve, pedagogëve, stafit akademik dhe administrativ, si dhe prindërve. Në fjalën e saj, Hysenbelliu u uroi mirëseardhjen studentëve të rinj dhe atyre që rikthehen në auditorë, ndërsa e cilësoi universitetin si një hapësirë ku të rinjtë jo vetëm marrin një diplomë, por formojnë veten dhe përgatiten për sfidat e së ardhmes. “Është një kënaqësi dhe një emocion i veçantë të jem sot së bashku në këtë ditë që shënon fillimin e një kapitulli të ri për secilin prej jush. Mirë se erdhët në Universitetin Luarasi”, u shpreh ajo. Duke iu drejtuar studentëve që ulen për herë të parë në auditorët e universitetit, Hysenbelliu tha se për ta nis një rrugëtim i ri, i mbushur me dije, sfida, miqësi, përvoja dhe mundësi, ndërsa theksoi se universiteti duhet të jetë një vend ku studentët mësojnë të mendojnë në mënyrë kritike, të bëjnë pyetje, të debatojnë dhe të mësojnë edhe nga gabimet. Presidentja e “Luarasi” nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përshtatjes me ndryshimet e vazhdueshme të botës, duke u bërë thirrje studentëve që të vijojnë të mësojnë gjatë gjithë jetës, të krijojnë dhe të guxojnë. Në vijim, ajo siguroi studentët se Universiteti “Luarasi”, në bashkëpunim me London School of Economics, do të vijojë investimet në dije, teknologji, mjediset universitare dhe zhvillimin profesional.
Në përfundim të fjalës së saj, Hysenbelliu u uroi studentëve një vit të mbarë akademik, me suksese, dije, miqësi dhe përvoja që do t’i shoqërojnë gjatë jetës.
Fjala e plotë: Të dashur studentë, të nderuar pedagogë, staf akademik dhe administrativ, të dashur prindër dhe miq të Universitetit të Luarasi dhe London School of Economics. Është një kënaqësi dhe një emocion i veçantë të jemë sot së bashku në këtë ditë që shënon fillimin e një kapitulli të ri për secilin prej jush. Mirë se erdhët në Universitetin Luarasi.
Për studentët që ulen për herë të parë në auditorët tanë, sot nis një rrugëtim i ri. Një rrugëtim me dije, sfida, miqësi, përvoja dhe mundësi që mund të ndryshojnë jetën tuaj. Ndërsa për studentët tanë që rikthehen, ju uroj mirëseardhjen përsëri në familjen “Luarasi” me besimin se ky vit do t’ju sjellë dhe më shumë rritje dhe momente për t’u krenuar.
Universiteti nuk është vetëm vendi ku merrni një diplomë, është vendi ku ndërtoni veten. Këtu do të mësoni të mendoni në mënyrë kritike, të bëni pyetje, të debatoni dhe argumenta, të pranoni gabime dhe të mësoni prej tyre.
Do të takohen njerëz që mund të bëjnë miqt tuaj më të mirë, pedagogë që mund t’ju frymëzojnë dhe mundësi që mund t’ju japin dyert për të ardhmen. Në një botë që ndryshon çdo ditë, njohuritë janë të rëndësishme, por nuk mjaftojnë. Ju duhet të jeni të gatshëm të mësoni gjatë gjithë jetës, të përshtateni, të krijoni dhe të guxoni. Dhe sot është hapi juaj i parë. Si president i Universitetit Luarasi dua t’ju siguroj që institucioni ynë do të jetë pranë jush. Do të investojmë në dije, në teknologji, në mjediset universitare, në zhvillimin profesional dhe mbi të gjitha në ju studentët tanë.
Dyert tona do të jenë gjithmonë të hapura për idetë tuaja, për pyetjet tuaja dhe për ambiciet tuaja. Le ta fillojmë këtë vit akademik me energji, me ambicie dhe besimin se së bashku mund të arrijmë më shumë. Në emër të Universitit Luarasi në bashkëpunim me London School of Economics, ju uroj një vit të mbarë akademik, plot suksese, dije, miqësi dhe momente që t’u kujtojnë gjatë gjithë jetës. Ju uroj shumë suksese dhe një rrugëtim sa më të ri.
Faleminderit. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: fabiola hysenbelliu Luarasi
