Ashtu siç ishte paralajmëruar, sot, më 13 tetor, studentët dhe të rinjtë kanë nisur protestën përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke artikuluar pakënaqësitë e tyre për problematikat që, sipas tyre, vijojnë të mbeten të pazgjidhura. Protesta është shoqëruar me thirrjet “Rama burg, Berisha burg”, ndërsa të rinjtë kanë dalë për të kërkuar ndryshime dhe për të ngritur zërin. Pranë godinës së Ministrisë së Arsimit është vënë re një prani e shtuar e forcave të Policisë, ndërsa në gatishmëri ndodhet edhe autoboti me ujë. Masat e sigurisë janë marrë përpara tubimit, ku organizatorët u kishin bërë thirrje studentëve nga qytete të ndryshme të vendit dhe qytetarëve të tjerë t’i bashkoheshin protestës. Pjesëmarrja dhe vijimësia e protestës pritet të tregojnë nëse pakënaqësia e të rinjve do të shndërrohet në një lëvizje më të gjerë dhe të qëndrueshme. Mbetet për t’u parë nëse përtej thirrjeve dhe reagimit të sotëm, studentët do të artikulojnë kërkesa konkrete dhe do të arrijnë të mbajnë të bashkuar zërin e tyre përballë institucioneve.

