Efektivët e Forcave të Armatosura i janë bashkuar këtë të mërkurë një aksioni për pastrimin e rezervuarit të Kasharajt në Lushnje, pas alarmit mjedisor të krijuar nga ngordhja e tonelatave të tëra peshqish. Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili njofton se në terren janë angazhuar 49 ushtarakë, 11 mjete vetëshkarkuese dhe 3 gomone për menaxhimin dhe pastrimin e plotë të zonës. “Lushnjë – ku efektivë dhe mjete të Forcave të Armatosura po angazhohen bashkërisht me strukturat bashkiake në operacionin për menaxhimin e situatës së krijuar në rezervuarin e Kasharaj. Në mbështetje të Emergjencave Civile të Bashkisë Lushnjë, në operacion për pastrimin e rezervuarit janë angazhuar 49 forca, 11 mjete vetëshkarkuese dhe 3 gomone nga Forca Tokësore dhe Komanda Mbështetëse e FA”, ka shkruar Nufi. Ndërkohë, situta e rëndë erdhi pasi Bashkia e Lushnjës zbrazi rezervuarin për të kryer punime rikonstruksioni në portën dalëse, çka la pas vetëm baltë dhe shkaktoi ngordhjen masive të peshqve. Tonelata peshqish kanë ngordhur në Lushnjë, rezervuari u zbraz për rikonstruksionin e portës

