Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur gjatë natës fshatin Zall të Fushë-Krujës, ku objektiv ka qenë dera e banesës së Ylli Zallës, person i njohur për autoritetet dhe i shpallur në kërkim nga policia.
Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe automjetin e parkuar pranë banesës, i cili është shkrumbuar plotësisht.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë orëve të vona të së shtunës, por policia është vënë në dijeni vetëm paraditen e sotme. Sipas të dhënave paraprake, njoftimi është bërë nga bashkëshortja e Zallës, e cila ndodhej jashtë Shqipërisë, në Itali.
Ylli Zalla është një emër i njohur për policinë. Ai dyshohet se ka pasur rol si bashkëpunëtor në atentatin e Rinasit dhe është shpallur në kërkim pas zbulimit të një arsenali armësh më 20 shkurt të këtij viti.
Hetuesit po verifikojnë çdo detaj rreth rrethanave të shpërthimit. Një prej elementeve që ka ngritur pikëpyetje është pretendimi fillestar për gjetjen e një letre kërcënuese pranë banesës.
Sipas burimeve, bashkëshortja e Zallës fillimisht ka deklaruar se pranë banesës, përveç lëndës plasëse, ishte gjetur edhe një letër me përmbajtje kërcënuese. Më pas, ky pretendim është tërhequr dhe po verifikohet nga grupi hetimor.
Ekspertët pritet të analizojnë edhe shkrimin e letrës përmes ekspertizës grafoteknike, nëse materiali rezulton të jetë marrë në posedim nga autoritetet.
Në kuadër të hetimit, një nga pistat që po shqyrtohet është edhe mundësia që ngjarja të jetë inskenuar. Hetuesit nuk përjashtojnë skenarin që Zalla të jetë larguar ilegalisht nga vendi dhe shpërthimi të jetë përdorur si pjesë e një skenari për të krijuar pretendimin se ndodhet nën kërcënim dhe për të kërkuar azil jashtë vendit.
Megjithatë, kjo mbetet vetëm një pistë hetimore dhe deri tani nuk ka një përfundim zyrtar mbi autorësinë apo motivin e ngjarjes.
Një tjetër vështirësi për hetuesit është mungesa e kamerave të sigurisë në zonën pranë banesës. Për pasojë, momenti i shpërthimit nuk është filmuar dhe autoritetet po mbështeten te provat materiale, ekspertizat dhe dëshmitë për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes.
Grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për identifikimin e autorit ose autorëve dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në vendosjen e lëndës plasëse.

