Lajme Zone
Ngjarja me Agron Shehajn dhe rrëzimi i punonjëses/ Deputetet e PS: Mizogjeni, sjellje e papranueshme
PolitikëCNA
Ky artikull është pjesë e një historie me 9 burime — Krahaso mbulimin →

Ngjarja me Agron Shehajn dhe rrëzimi i punonjëses/ Deputetet e PS: Mizogjeni, sjellje e papranueshme

Deputetet e PS-së në një deklaratë të përbashkët kanë dënu...

Deputetet e PS-së në një deklaratë të përbashkët kanë dënuar aktin e Agron Shehajt i cili mori dokumentet në Kuvend duke ikur me vrap si dhe mosreagimin e tij ndaj punonjëses së Kuvendit e cila duke e ndjekur u rrëzua nga shkallët.

Sipas tyre, ky akt tregon mizogjeni, dhunë në vendin e punës dhe një sjellje të papranueshme nga një deputet.

DEKLARATË E GRAVE DHE VAJZAVE DEPUTETE TË PARTISË SOCIALISTE

Ne, gratë dhe vajzat deputete të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, dënojmë me forcë ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në selinë e demokracisë shqiptare, para syve të Shqipërisë dhe para kamerave. Kryetari i Partisë “Mundësia” dhe deputeti Agron Shehaj rrëmbeu me forcë një dokument të klasifikuar të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u largua me vrap nga zyra e Kuvendit. Në përpjekje për ta ndaluar dhe për të kryer detyrën e saj, një këshilltare e Kuvendit, një grua në vendin e saj të punës e ndoqi pas, u rrëzua nga shkallët, mbeti e lënduar dhe sot ndodhet e shtruar në spital. Deputeti Shehaj as nuk u ndal, as nuk u kthye, as nuk i dha ndihmë. E la përtokë dhe iku.

Për ne, gratë socialiste ky është momenti më i rëndë i kësaj ngjarjeje. Sepse bëhet fjalë për një grua, një punonjëse të administratës së Kuvendit, e cila po zbatonte ligjin dhe po kryente me korrektësi detyrën për të cilën ishte ngarkuar.

Kur një deputet, një burrë, kryetar partie, figurë publike shkel ligjin dhe deklaratën e konfidencialitetit në një zyrë të Kuvendit; kur një punonjëse grua e institucionit rrëzohet duke tentuar të mbrojë ligjin dhe detyrën e saj; dhe kur ai deputet largohet duke e lënë atë të shtrirë pa i dhënë as dorën, ne kemi përballë:

-Mizogjeni në formën e saj më të pafshehur, mospërfilljen e plotë të një gruaje si qenie njerëzore në momentin që ajo ka nevojë për ndihmë.

-Dhunë në vendin e punës ndaj një punonjëseje publike, të cilën ligji shqiptar e ndalon në mënyrë të prerë.

-Sjellje të papranueshme për një deputet, që është betuar t’i shërbejë Kushtetutës dhe institucioneve, jo t’i cenojë ato.

Nuk ka “urgjencë politike” dhe nuk ka “kauzë” që të justifikon që të lësh një grua të rrëzuar në shkallët e Kuvendit dhe të vazhdosh vrapin për një kamerë.

Ne, gratë socialiste, i kujtojmë Z. Shehaj dhe të gjithë klasës politike:

1. Askush nuk është mbi ligjin, sidomos kur ligji mbron një grua në vendin e saj të punës. Kërkojmë që Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën të trajtojnë me seriozitetin më të lartë incidentin ndaj këshilltares së Kuvendit.

2. Puna e administratës së Kuvendit, kryesisht e mbajtur mbi shpatullat e grave nuk është “pengesë” për politikanët populistë. Këto gra janë kolonat që mbajnë institucionin. Kush ngre dorë ose përdor forcën ndaj tyre, ngre dorë ndaj Kuvendit të Shqipërisë.

3. Një deputet që lë një grua përtokë dhe nuk kthehet, i detyrohet asaj publikisht një faljeje. Pa kushte. Pa “por”. Pa spote në televizion.

Mesazhi ynë për këshilltaren e lënduar

Të jesh e sigurt që nuk je vetëm. Ne, gratë socialiste, të Kuvendit dhe jashtë tij, të qëndrojmë krah. Dëmtimi yt nuk do të kalojë si një “detaj” në kronikën e ditës. Do të ndiqet, do të dokumentohet, do të mbrohet institucionalisht. Detyra që po kryeje ishte detyrë kushtetuese: mbrojtja e një dokumenti të klasifikuar të Republikës. Ti nuk u rrëzove për një letër. U rrëzove sepse dikush zgjodhi shfaqjen mbi njeriun.

Asnjë mandat politik nuk mund të jetë më i rëndësishëm se dinjiteti, siguria dhe respekti që i detyrohemi çdo gruaje që i shërben institucioneve të Republikës së Shqipërisë.

Në fund, populizmi që shkel mbi trupin e një gruaje për të fituar një video klip në rrjetet sociale nuk është alternativë politike. Është regresi më i thellë që mund t’i ndodhë një demokracie. Shqipëria e vitit 2026 nuk e meriton këtë. Gratë e Shqipërisë, qofshin në Kuvend, në administratë, në çdo vend pune nuk e meritojnë këtë.

Ne kërkojmë përgjegjësi. Kërkojmë falje publike ndaj këshilltares. Kërkojmë masë disiplinore dhe hetim penal, siç ka nisur tashmë Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Dhe, mbi të gjitha, kërkojmë që në Kuvendin e Shqipërisë të mos ketë kurrë më një burrë që ecën përpara duke lënë një grua përtokë./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.