Kuvendi i Kosovës Kosova ndodhet sërish përballë një krize politike të ndërthurur me dilema kushtetuese. Formimi i institucioneve pas zgjedhjeve të qershorit mbetet i bllokuar, ndërsa vendimi i pritshëm më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara në Hagë mund të ndryshojë sërish llogaritë politike në Prishtinë. Kosova e gjen veten edhe një herë në një situatë ku kriza politike dhe dilemat kushtetuese ecin paralelisht. Pas zgjedhjeve të qershorit, nuk ka ndodhur ende formimi i institucioneve të reja.
Ndërkohë, një tjetër datë po afrohet dhe mund të ndryshojë ndjeshëm raportet politike: 16 shtatori, kur pritet vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, si edhe pyetja nëse janë respektuar afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, e kanë dominuar debatin politik gjatë ditëve të fundit.
Megjithatë, mungojnë përgjigjet përfundimtare. Në këtë situatë, llogaritë politike janë ndërlikuar edhe më shumë nga pritja për vendimin e Hagës. Disa analistë mendojnë se një dënim i mundshëm i ish-drejtuesve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit do ta forconte pozitën e Albin Kurtit. Të tjerë presin të kundërtën, një pafajësi mund t’i hapte rrugën rikthimit të PDK-së në pushtet.
Dilemat kushtetuese
Politologu Ognjen Gogiç, mendon se shumica parlamentare ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke mos e konstituar Kuvendin brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Sipas tij, kjo mund t’i japë opozitës edhe mundësinë për ta kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese një zgjedhje të mundshme të presidentit të ri të Kosovës. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte shumë i qartë, por shumica parlamentare nuk e respektoi. Në praktikë, ajo e pezulloi seancën në të cilën duhej të konstituohej Kuvendi, me qëllim që të fitonte kohë për negociata të tjera”, shpjegon Gogiç për Kosovo Online.
Sipas tij, kjo situatë ngre pikëpyetje për kushtetutshmërinë e të gjitha vendimeve që mund të merren më pas. “Kuvendi nuk u konstituua brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuta. Kjo krijon mundësinë që edhe vendimet e mëvonshme të tij të kundërshtohen në Gjykatën Kushtetuese”, shton ai.
Gogiç mendon se opozita mund ta çojë në Gjykatën Kushtetuese edhe një zgjedhje të mundshme të presidentit, megjithëse pranon se është e pamundur të parashikohet se si do të vendoste gjykata. Sipas tij, një tjetër çështje problematike, është mandati i Albulena Haxhiut.
Në Kosovë është hedhur ideja se mandati i saj si presidente në detyrë, përfn më 4 tetor. Gogiç e konsideron këtë interpretim të pasaktë. Sipas tij, Haxhiu nuk mund të vazhdojë të ushtrojë këtë detyrë, pasi mandati i saj në këtë funksion lidhet me legjislaturën e mëparshme parlamentare si kryetare e Kuvendit, e cila tashmë ka përfunduar.
Në rrethana normale, Kuvendi i ri duhej të kishte zgjedhur tashmë kryetarin e tij, i cili do të zëvendësonte Haxhiun dhe do të merrte përsipër edhe funksionin e presidentit në detyrë.
Edhe kjo sipas Gogiçit, hap një tjetër seri dilemash juridike dhe mundësish për përplasje institucionale.
Në të njëjtën kohë, ai vlerëson se vendimi i ardhshëm i Hagës dhe mundësia e zgjedhjeve
të reja janë pjesë e rëndësishme e llogarive politike. Sipas tij, Albin Kurti nuk dëshiron të rrezikojë zgjedhje të reja pas vendimit të Dhomave të Specializuara. Për Kurtin, objektivi kryesor është që procesi i zgjedhjes së presidentit të arrijë të paktën në raundin e tretë të votimit në Kuvend.
Gjithçka mund të vendoset në Hagë
Ndryshe nga Gogiç, i cili vë theksin te pasojat juridike të ngërçit aktual, analisti politik Nexhmedin Spahiu mendon se çelësi për zgjidhjen e krizës politike ndodhet në Hagë.
“Nëse dënohen ish-drejtuesit e UçK, kjo do t’i japë Albin Kurtit mundësinë të konsolidojë pushtetin. Nëse shpallen të pafajshëm, mendoj se ata do t’ia marrin pushtetin Kurtit”, thotë Spahiu.
Sipas tij, më shumë se gjysma e deputetëve të Kurtit mund të kalojnë në anën e kundërshtarëve të tij dhe pikërisht kështu mund të zgjidhet një ngërç politik që sipas tij, ka zgjatur prej dy vitesh.
Spahiu nuk pret që Kosova të zgjedhë presidentin e ri përpara vendimit të Dhomave të Specializuara më 16 shtator. Ai beson se vendimi i Hagës do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë mbi zhvillimet politike që do të pasojnë.
Kandidatura e Bekim Sejdiut dhe marrëdhëniet mes Vetëvendosjes, LDK-së dhe PDK-së janë gjithashtu pjesë e kësaj llogaritjeje. Spahiu mendon se Sejdiu ende mbetet në garë, pasi, sipas tij, ai u përzgjodh si një kandidat kompromisi në kuadër të “disa negociatave të çuditshme” mes kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai pretendon se Sejdiu ka qenë më pranë PDK-së dhe Hashim Thaçit. Sipas Spahiut, Sejdiu u emërua në Gjykatën Kushtetuese në kohën kur Thaçi kishte pushtet të madh politik. “Askush nuk mund të ishte atje nëse nuk ishte nën kontrollin dhe besnikërinë e tij. Thaçi i kushtonte më shumë vëmendje njerëzve që emëronte në institucionet e pavarura sesa qeverisë, sepse një ministër mund të shkarkohej menjëherë, ndërsa drejtuesit e institucioneve të pavarura nuk mund të largoheshin kaq lehtë. Prandaj ishte shumë i kujdesshëm në zgjedhjen e tyre”, thotë Spahiu për Kosovo Online.
Sipas tij, në PDK kishte kënaqësi të madhe për zgjedhjen e Sejdiut si kandidat për president.
Edhe pse drejtuesit e PDK-së kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në votim, Spahiu mendon se disa prej deputetëve të saj mund të votojnë gjithsesi, duke siguruar numrin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.
“Nëse ai zgjidhet, mendoj se Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku do të zhgënjehen, por do të marrin atë që meritojnë”, thotë ai.
Krizë politike apo kushtetuese?
Edhe çështja e mandatit të Albulena Haxhiut mund ta thellojë më tej krizën, veçanërisht nëse institucionet nuk arrijnë të formohen. Për Spahiun, nëse ngërçi vazhdon pas 16 shtatorit, Kosova rrezikon të hyjë në një fazë edhe më të ndërlikuar.
“Në çdo rast, nëse institucionet nuk janë formuar deri atëherë, Kosova do ta thellojë edhe më shumë krizën - jo vetëm atë politike, por edhe krizën kushtetuese”, përfn ai. Në këtë pikë, 16 shtatori nuk është thjesht një tjetër datë në kalendarin politik të Kosovës.
Vendimi i Hagës mund të ndikojë te balanca mes partive, te fati i kandidaturës për president dhe madje te mundësia e zgjedhjeve të reja. Por përpara se të mbërrijë ajo ditë, Kosova përballet me një problem më themelor: institucionet e reja ende nuk janë ngritur dhe interpretimi i rregullave kushtetuese është bërë pjesë e betejës politike.
Nëse ngërçi vazhdon, vendimi i Hagës mund të mos jetë vetëm një zhvillim gjyqësor.
Ai mund të shndërrohet në pikën që ndryshon të gjithë ekuacionin politik të Kosovës./ Pwrshtati "Pamfleti" Nga “Kosovo Online”ngërçi politik në kosovë Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kosova Informacion, burime, ndikim; gjurmët e BIA-s në Kosovë 7 Shtator 2026, 08:3408:34Kosova Loja e numrave për Presidentin dhe beteja për fajtorin 6 Shtator 2026, 20:0520:05Kosova A e lexoi Serbia Uashingtonin më mirë se Kosova? 6 Shtator 2026, 16:1216:12Kosova Kriza politike në Kosovë, Pandeli Majko mesazh Prishtinës: Zgjedhja e presidentit po kthehet në lodër 'vetëvrasëse' 6 Shtator 2026, 11:0511:05Kosova Kriza institucionale në Kosovë, PDK paralajmëron ndryshim kursi: Do të shqyrtojmë veprime politike, institucionale dhe juridike 5 Shtator 2026, 14:4414:44Kosova Masakra ndaj Jasharëve, Kosova ngre aktakuzën e parë për vrasjen e civilëve në Prekaz! 4 Shtator 2026, 18:0618:06Kosova

