Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka bojkotuar ditën e sotme të gjithë aktivitetin gjyqësor. Shkak i bojkotit është moskalimi i pagave të këtij muaji për administratën e gjykatës, të cilat duhej të ishin kaluar që më datë 3 shtator. Duke qenë se sot mbahet edhe Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë lidhur me këtë situatë, në Gjykatën e Beratit do të zhvillohen vetëm çështjet me karakter të ngutshëm ose urgjent, siç janë masat e sigurisë dhe urdhrat e mbrojtjes.
Vonesa e pagave lidhet me procesin e shqyrtimit të rritjes së pagave të gjyqtarëve, por kjo situatë ka sjellë vonesa edhe për administratën e gjykatës.
Bojkoti i sotëm në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat pritet të përsëritet edhe në ditët në vijim, deri në momentin kur administratës t’i kalojnë pagat.
Administrata e gjykatës kërkon zgjidhjen e situatës dhe marrjen e pagave mujore që u takojnë. Top Channel

