Lajme Zone
Ngërçi me pagat e magjistratëve/ Kallëzimi në SPAK përfshin 16 degë të Thesarit, kërkohet zbardhja e gjithë zinxhirit të vendimmarrjes
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Ngërçi me pagat e magjistratëve/ Kallëzimi në SPAK përfshin 16 degë të Thesarit, kërkohet zbardhja e gjithë zinxhirit të vendimmarrjes

Detaje të reja dalin nga kallëzimi penal i depozituar në SPAK për bllokimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026.

Detaje të reja dalin nga kallëzimi penal i depozituar në SPAK për bllokimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026. Njëzet nëpunës autorizues të gjykatave, së bashku me drejtues të shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kërkojnë hetimin e ministrit të Financave, Petrit Malaj, sekretarit të përgjithshëm të ministrisë, Gentian Këri, si dhe drejtuesve të 16 degëve të Thesarit, për tre vepra penale të pretenduara: “shpërdorim detyre”, “pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”.

Në qendër të kallëzimit është pretendimi se strukturat e Thesarit nuk kishin kompetencë të vendosnin për ligjshmërinë e formulës së pagave dhe, për pasojë, as të bllokonin urdhërpagesat. Kallëzuesit argumentojnë se, edhe në rast mosmarrëveshjeje, administrata shtetërore duhej t’i drejtohej gjykatës dhe jo të pezullonte në mënyrë të njëanshme pagesat. Sipas kallëzimit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 17 shkurtit 2026 dhe përfundimit të afatit të lënë Kuvendit për ndërhyrjet ligjore, KLGJ dhe KLP kërkuan që nga 1 gushti paga referuese bazë të përllogaritej sipas formulës së përcaktuar në vendimin nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese dhe parametrave të VKM-së nr. 325/2023. Kallëzuesit pretendojnë se moszbatimi i kësaj formule cenon drejtpërdrejt një vendim përfundimtar dhe të detyrueshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Një nga elementët që kërkohet të hetohet është komunikimi elektronik mes Ministrisë së Financave dhe degëve të Thesarit. Sipas kallëzimit, bllokimi i urdhërpagesave është pasuar nga një e-mail i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Gentian Këri, ndërsa SPAK-ut i kërkohet të administrojë korrespondencën dhe të përcaktojë se kush urdhëroi moskryerjen e pagesave dhe mbi çfarë baze ligjore

Kallëzimi ndalet veçanërisht edhe te roli i degëve të Thesarit. Sipas argumentimit të kallëzuesve, kontrolli që këto struktura ushtrojnë mbi shpenzimet buxhetore lidhet me verifikimin formal, dokumentar, të fondeve në dispozicion dhe përputhshmërinë e pagesës, por nuk u jep atyre të drejtën të rivlerësojnë përmbajtjen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese apo formulën e pagës së përcaktuar në zbatim të tij.

Një tjetër element që kallëzuesit kërkojnë të verifikohet nga SPAK lidhet me fondet për pagat e muajit gusht 2026. Sipas kallëzimit, gjykatat i kishin fondet e mjaftueshme për të përballuar pagat sipas formulës së re, por urdhërpagesat nuk u ekzekutuan nga degët e Thesarit. Për këtë arsye, SPAK-ut i kërkohet të verifikojë gjendjen e fondeve buxhetore në momentin e paraqitjes së urdhërpagesave, për të përcaktuar nëse bllokimi erdhi për shkak të mungesës së parave apo si rezultat i vendimmarrjes së zyrtarëve të kallëzuar.

Në pjesën përfundimtare, kallëzuesit i paraqesin SPAK-ut 14 veprime hetimore që kërkojnë të kryhen. Mes tyre janë administrimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimeve të KLGJ-së e KLP-së, marrja e shkresave dhe korrespondencës së Ministrisë së Financave me Thesarin, si dhe dokumentacioni mbi procedurën e pagesave.

Po ashtu, kërkohet sekuestrimi dhe ekspertimi i gjurmëve elektronike në sistemin e Thesarit, për të identifikuar veprimet e kryera, përdoruesit që kanë ndërhyrë dhe kohën e këtyre veprimeve. SPAK-ut i kërkohet të administrojë edhe komunikimet elektronike dhe e-mail-et që lidhen me bllokimin e pagave.

Mes kërkesave është edhe pyetja e personave që kanë urdhëruar ose zbatuar mos-ekzekutimin e pagesave, ekspertimi financiar për të përcaktuar efektet e bllokimit, verifikimi nëse ka pasur ndërhyrje politike ose administrative, si dhe kryerja e çdo veprimi tjetër që SPAK e konsideron të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Kallëzuesit argumentojnë se paga e magjistratit nuk përbën vetëm një marrëdhënie financiare, por lidhet me garancitë e pavarësisë së gjyqësorit. Sipas tyre, bllokimi i pagave, nëse provohet se është bërë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duhet të hetohet për të përcaktuar nëse janë konsumuar veprat penale të pretenduara në kallëzim. Top Channel