Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç / Edhe pse mobilizimet që po tronditin Shqipërinë dhe Serbinë duket se pasqyrojnë njëra-tjetrën, ato janë nxitur nga manovrat e dy regjimeve të ndryshme. “Vuçiç ra, tani e ka radhën Rama!”. Ky sllogan, i thirrur gjatë protestave në Tiranë, tregon qartë se sa mashtruese mund të jenë analogjitë politike. Në fakt, Vuçiç ka njoftuar synimin e tij për t'u dorëhequr nga post i presidentit të Serbisë, me qëllim që të garojë për postin e kryeministrit në zgjedhjet parlamentare të parashikuara për vitin e ardhshëm.
Pra Vuçiç po e lë pushtetin përmes një strategjie mjaft të ngjashme me atë të Vladimir Putinit, i cili në vitin 2012 la presidencën për t'u bërë kryeministër. “Rënia” e Vuçiqit, mund ta lërë atë në shëndet të plotë politik, duke i dhënë mundësi të mbetet në pushtet për sa kohë të dëshirojë.
Kësisoj, presidenti serb do të provonte se një lëvizje proteste popullore - e mbështetur nga shtresa të gjera të shoqërisë dhe e konsideruar si mbrojtëse e një “kauze të drejtë” - nuk është domosdoshmërisht e destinuar të rrëzojë një qeveri që konsiderohet gjerësisht e padrejtë.
Lidershtipi serb e pa te lëvizja studentore kërcënimin kryesor për mbijetesën e vet dhe u tregua i gatshëm të reagonte ndaj dy skenarëve që mund të çonin në rënien e tij. Kur në rrugët e Beogradit vërshuan një numër i madh njerëzish, që nxorën në pah pafuqinë e pushtetit përballë mobilizimit popullor, duket se u përdor një “top sonor” - një armë akustike që përdor valë ultrasonike për të sulmuar shqisat e protestuesve.
I vendosur të bashkëjetojë me lëvizjen e protestës - duke llogaritur konsumimin e saj gradual dhe vështirësitë e protestuesve për të ruajtur kohezionin - pushteti po e zhvendos tashmë zgjidhjen e konfliktit në terrenin më të favorshëm për të: atë të zgjedhjeve parlamentare të organizuara në kushtet aktuale institucionale dhe politike.
Sidoqoftë, në një sistem ku fushatat zgjedhore bazohen te keqpërdorimi i burimeve publike, ku mediat janë gjerësisht të kontrolluara dhe ku kufiri mes dhunës policore dhe asaj të grupeve kriminale në shërbim të pushtetit bëhet pothuajse i padukshëm, regjimi ka gjasa të mëdha ta ruajë pushtetin.
Sipas sondazhit të fundit të agjencisë Faktor Plus, po të mbaheshin zgjedhjet sot, Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit do të merrte 47.1 për qind të votave. Së bashku me socialistët, ajo do të kalonte 50 përqindëshin, ndërsa lista studentore do të renditej e dytë me 30.7 për qind të votave.
Kufijtë e shembullit serb
Megjithatë, duhet të kemi kujdes nga analogjitë. Regjimi serb dhe ai shqiptar mund të duken - dhe faktikisht janë - autocrazi të lindura pas zgjedhjeve më shumë apo më pak demokratike, por ato mbështeten mbi bazamente rrënjësisht të ndryshme.
Pushteti aktual në Serbi bazohet mbi një valë urrejtjeje, ende pranishme, të buruar nga luftërat e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe nga roli qendror që Serbia dhe nacionalizmi serb luajtën në to.
Ndërsa në Shqipëri, pushteti vepron sipas një logjike krejt tjetër. Në fillim të viteve 2000, kur hyri në politikë, kryeministri aktual Edi Rama përfaqësonte një figurë kozmopolite.
Trajektorja nacionaliste që ka ndërmarrë vitet e fundit lidhur me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duket se burojnë më shumë nga dëshira për t'u imponuar si aktor rajonal, sesa nga një zgjim i vonuar nacionalist.
Autokracia shqiptare është një rast unik në nivel global. Ajo është rrjedhojë e një bashkëpunimi sekret mes pushtetit politik, rrjeteve të krimit të organizuar të lidhura me narkotrafikun ndërkombëtar, oligarkëve dhe mediave.
Duke pasur parasysh kulturën politike serbe, nuk është e çuditshme që autoritetet t’u drejtohen “topave sonorë” dhe të dërgojnë kriminelë të armatosur me shkopinj bejsbolli për të rrahur të moshuar, gra e fëmijë që marrin pjesë në demonstrata.
Por në Shqipëri, një dhunë e tillë nuk është pjesë e kulturës politike të vendit. Në fakt, kryeministri Rama, nuk i është drejtuar kurrë asaj. Dhunimi i njerëzve që tundin flamingot plasitike apo pankarta kundër qeverisë, nuk bën pjesë në praktikat politike shqiptare, madje as atëherë kur ata shfaqin sllogane radikale si “Vdekje tradhtarëve”.
Analogjitë zbehen edhe kur shqyrtohet dinamika e mobilizimeve. Në Serbi, lëvizja e protestës po hyn në vitin e saj të dytë. Në Shqipëri, ajo sapo ka kaluar muajin e dytë. Nëse nuk ndryshon gjë deri në fund të vitit, lëvizja serbe, në kulmin e saj, do të çojë në zgjedhje parlamentare të organizuara në të njëjtat kushte të pabarabarta si më parë. Por njëkohësisht, ajo do të mundësojë shfaqjen e një opozite të re, të udhëhequr nga studentët, me një legjitimitet politik të përforcuar. Ndërkohë në Shqipëri, mobilizimi sapo ka nisur.
E megjithatë, ndryshe nga lëvizja serbe, që në muajt e saj të parë e ka bërë të qartë se synimi i saj nuk është pjesëmarrja në zgjedhje të organizuara në të njëjtat kushte si më parë.
Prandaj Vuçiç nuk ka rënë. Dhe s’ka asnjë arsye për të besuar se Rama mund të bjerë. Edhe kryeministri shqiptar ka dy opsione përballë lëvizjes së protestës, e cila, ndryshe nga ajo serbe, është ende në hapat e saj të parë dhe duhet të përballet me sfida të shumta.
Rama mund të zgjedhë të bashkëjetojë me protestat, me shpresën se ato do të humbasin gradualisht intensitetin ose do të shndërrohen në një atraksion të thjeshtë turistik. Si alternativë, ai mund të zgjedhë sprovën e zgjedhjeve parlamentare, nëse lëvizja e protestës do të merrte një hov të rëndësishëm politik.
Në të dyja rastet, si protestuesit ashtu edhe kryeministri vënë bast mbi konsumimin gradual të kundërshtarit. Kryeministri baston se protestuesit nuk do të jenë të aftë të ndërtojnë një përfaqësim politik koherent; protestuesit bastojnë se kryeministri do ta gjejë veten gjithnjë e më të izoluar në krye të një regjimi tepër të personalizuar.
Të dy skenarët, përkundër dallimeve thelbësore mes Shqipërisë dhe Serbisë, çojnë në të njëjtin rezultat të dëshiruar nga të dy udhëheqësit: legjitimimin, përmes vulës së një demokracie përfaqësuese formale, të një ushtrimi jodemokratik të pushtetit.
Paradoksi shqiptar
Sidoqoftë, e ardhmja e Shqipërisë do të ndjekë një trajektore të ndryshme nga ajo e Serbisë. Ndryshe nga Serbia, Shqipëria është e vendosur prerazi dhe sinqerisht drejt Bashkimit Evropian. Popullsia, partitë politike, qeveria dhe shoqëria civile shqiptare e ndajnë këtë orientim.
Për më tepër, si provë e këtij angazhimi, ekziston SPAK-u (Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit), një institucion i konceptuar për të mishëruar shtetin e së drejtës. A do të mjaftojë kjo që Shqipëria të mos ndjekë rrugën e marrë nga Serbia? Jo.
Angazhimi i deklaruar i qeverisë shqiptare për të zbatuar reformat e kërkuara nga BE-ja, është konfirmim i vendosmërisë së vendit për të miratuar të gjitha ndryshimet legjislative të treguara nga Brukseli.
Kryeministri shkoi deri atje sa të propozonte që kjo detyrë, në vend që t’u besohet aktorëve politikë apo administratës publike, të kryhet duke përdorur inteligjencën artificiale, në mënyrë që parlamenti të miratojë pa hezitim përkthimet e teksteve evropiane të prodhuara nga ChatGPT.
Këtu qëndron edhe paradoksi: reformat evropiane po shndërrohen në një çështje retorike më shumë se sa përmbajtjeje. Shqipëria e udhëhequr nga lidershtipi aktual, është e gatshme të miratojë ligje në linjë me kriteret e Bashkimit Evropian, duke ruajtur njëkohësisht modelin aktual të zhvillimit, i cili karakterizohet nga një transparencë e ulët demokratike dhe nga legjitimimi i kapitaleve që burojnë nga narkotrafiku dhe ndikimi politik e shoqëror që rrjedh prej tyre.
Mbrojtja e dy bindjeve të kundërta në të njëjtën kohë, shpërfaq një disonancë njohëse (kognitive), dhe ky është një problem i pushtetit. Por është gjithashtu një problem i Bashkimit Evropian. Është e vërtetë se Shqipëria është plotësisht e angazhuar në rrugën e integrimit evropian.
Por në të njëjtën kohë, modeli i saj aktual i zhvillimit bazohet në flukse të mëdha kapitalesh me origjinë të paligjshme. Kjo nuk është një përjashtim nga shteti i së drejtës që SPAK-u do të duhej në teori ta korrigjonte.
Tashmë kjo është bërë rregull. SPAK-u nuk mund të zëvendësojë opozitën, e aq më pak të shndërrohet në një shpatë revolucionare të idealizuar për të prerë koka e për të vendosur drejtësi.
“Revolucioni i flamingove” nuk mund të zëvendësojë parlamentin shqiptar. Bashkimi Evropian nuk mund të zëvendësojë qeverinë shqiptare. Dhe qeveria shqiptare s’mund të zëvendësojë popullin, as sovranitetin popullor.
Tani pyetja thelbësore është se si të pajtohen aspiratat evropiane të qeverisë shqiptare, ato të Bashkimit Evropian, vendosmëria e SPAK-ut për të luftuar korrupsionin e krimin e organizuar, si dhe angazhimi i protestuesve të Lëvizjes së Flamingove për të rikthyer pushtetin vendimmarrës te qytetarët.
Pra si të kanalizohen këto dinamika drejt një synimi të vetëm: t’i jepet mundësi Shqipërisë të marrë një rrugë rrënjësisht të ndryshme nga ajo që po ndjek aktualisht./Pamfleti nga “Balcani Caucaso”nga tirana në beograd protesta të ngjashme regjime të ndryshme Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Nga flamingot te politika: Protesta që po sfidon modelin e zhvillimit në Shqipëri 5 Gusht 2026, 14:1814:18Forum Doktor Cubi 5 Gusht 2026, 14:2014:20Forum Ben Blushi: Ndarja territoriale, a ka ardhur koha ta zhdukim jugun dhe veriun? 5 Gusht 2026, 09:5409:54Forum Një reformë pa vetëqeverisje 4 Gusht 2026, 18:2618:26Forum Aleati ynë, Shqipëria, është në telashe dhe SHBA-ja s’duhet të rrijë duarkryq 4 Gusht 2026, 12:4612:46Forum Bushati sfidon hapur Ramën: Problemi nuk janë bashkitë, por pushteti absolut në duart e tua 4 Gusht 2026, 11:2011:20Forum

